Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i shpallur ata penalisht përgjegjës për një sërë krimesh gjatë luftës. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, Jakup Krasniqi me 25 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Në vendimet individuale, trupi gjykues i shpalli ata fajtorë, në shkallë të ndryshme, për vepra që përfshijnë ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Sipas trupit gjykues, krimet për të cilat u shpallën përgjegjës katër të pandehurit lidhen me periudhën e luftës në Kosovë dhe janë konstatuar në disa komuna të Kosovës, si dhe në dy rrethe në veri të Shqipërisë.
Megjithatë, aktgjykimi i sotëm është vendim i shkallës së parë. Palët, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale, kanë të drejtë ta apelojnë vendimin në shkallët e tjera të gjykimit, ndaj procesi gjyqësor nuk përfn me shpalljen e këtij aktgjykimi.
Po ashtu, bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dhe jo për një vendim ndaj UÇK-së si organizatë në tërësi. Aktgjykimi vlerëson përgjegjësinë penale të këtyre katër personave për akuzat dhe incidentet që janë shqyrtuar në çështjen e tyre gjyqësore.
Me shpalljen e dënimeve, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur. Top Channel

