Ish-drejtuesit e UÇK Pas një procesi gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim. Katër ish-krerët e UÇK-së kishin mohuar akuzat dhe ishin deklaruar të pafajshëm gjatë procesit... Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur më 16 shtator aktgjykimin në një prej proceseve më të mëdha dhe më të ndjekura që lidhen me luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Para trupit gjykues ishin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-deputeti dhe një prej figurave drejtuese të UÇK-së, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Në total ata u dënuan me 81 vjet burg, ku Thaçi e Krasniqi kanë sëbashku 50 vjet heqje lirie, duke marrë dënimet më të ashpra. Vendimi pritet të ankimohet nga 4 ish-drejtuesit e UÇK-së, ndërsa atyre pritet t'u zbritet edhe koha e paraburgimit. Katër të akuzuarit ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre filloi më 3 prill 2023. Gjatë gjithë procesit ata i kanë kundërshtuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Thaçi dënohet me 25 vjet burgim
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara.
Trupi gjykues shpalli aktgjykimin pas përfundimit të një procesi disa-vjeçar, gjatë të cilit Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse paraqitën dëshmitarë dhe prova të shumta.
Thaçi është shpallur fajtor për katër akuza për krime lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Thaçi, i cili gjatë luftës ishte drejtor politik i UÇK-së, pas luftës mbajti disa prej pozitave më të larta shtetërore në Kosovë, përfshirë ato të kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe presidentit. Ai dha dorëheqje nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2020, pasi u njoftua për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij. Më pas u nis drejt Hagës dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara.
Gjatë procesit gjyqësor, Thaçi i ka mohuar akuzat. Edhe në fjalën e tij përmbyllëse para gjykatës në shkurt të këtij viti, ai këmbënguli në pafajësinë e tij dhe kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë.
Veseli dënohet me 18 vjet burgim
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është dënuar me 18 vjet burgim.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues u ndal edhe te pozita dhe roli që, sipas vlerësimit të tij, Veseli kishte pasur në periudhën që ishte objekt i çështjes gjyqësore. Sipas konstatimeve të paraqitura gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues vlerësoi se Veseli kishte keqpërdorur pushtetin dhe pozitën që kishte dhe se këtë pozitë e kishte përdorur për qëllime kriminale. Gjykata trajtoi edhe rrethanat që kishte marrë parasysh gjatë përcaktimit të masës së dënimit.
Në këtë aspekt, trupi gjykues mori parasysh rrethanat personale të Veselit, si dhe sjelljen e tij gjatë viteve të procesit gjyqësor. Sipas gjykatës, Veseli kishte treguar sjellje të mirë gjatë procesit, me përjashtim të një rasti të veçantë.
Gjykata mori në konsideratë gjithashtu faktin se Veseli ishte dorëzuar vullnetarisht para Dhomave të Specializuara.
Veseli, i cili ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës, më vonë ishte një prej figurave kryesore politike në Kosovë. Ai ka shërbyer si kryetar i Kuvendit dhe ka drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës. Edhe Veseli i kishte mohuar akuzat ndaj tij dhe ishte deklaruar i pafajshëm.
Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, është dënuar me 25 vjet burgim.
Krasniqi është ndër katër të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ai kishte kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe gjatë procesit ishte deklaruar i pafajshëm.
Krasniqi ka qenë një prej figurave të njohura të UÇK-së gjatë luftës, ndërsa pas përfundimit të saj ka mbajtur poste të rëndësishme institucionale dhe politike.
Ndër të tjera, ai ka shërbyer si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Procesi ndaj Krasniqit, sikurse ndaj tre bashkëakuzuarve të tjerë, nisi në prill të vitit 2023 dhe përfi me shpalljen e aktgjykimit më 16 shtator 2026.
Rexhep Selimi dënohet me 13 vjet burgim
Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Vendimi ndaj tij është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Charles Smith III. Selimi ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë në nëntor të vitit 2020. Ai që atëherë ka qëndruar në paraburgim.
Gjatë procesit gjyqësor, Selimi është deklaruar i pafajshëm dhe ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë.
Në paraqitjet e tij para gjykatës, Selimi ka theksuar rolin e tij në luftën e UÇK-së dhe ka deklaruar se kishte luftuar për lirinë e Kosovës. Në fjalën përmbyllëse në shkurt të vitit 2026, ai i kundërshtoi sërish akuzat ndaj tij.
Mbrojtja e Selimit, sikurse ekipet e tjera mbrojtëse, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë penale që Prokuroria ua atribuonte të akuzuarve.
Për çfarë akuzoheshin katër ish-krerët e UÇK-së?
Aktakuza operative në këtë çështje ishte dorëzuar më 27 shkurt 2023.
Sipas Dhomave të Specializuara, secili prej katër të akuzuarve ngarkohej, mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale, me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Ata ngarkoheshin gjithashtu me katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, krimet e pretenduara ishin kryer nga të paktën marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë.
Prokuroria pretendonte se viktimat përfshinin persona të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Këto ishin pretendimet e Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë dhe gjatë gjykimit, ndërsa të katër të akuzuarit i kundërshtuan ato.
Nga arrestimet në vitin 2020 deri te aktgjykimi
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Pas procedurave paraprake, gjykimi nisi më 3 prill 2023 me deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Paraqitja e çështjes së Prokurorisë zgjati rreth dy vjet. Prokuroria e mbylli paraqitjen e provave më 15 prill 2025. Më pas, në korrik të vitit 2025, përfaqësuesi i viktimave paraqiti provat e tij.
Faza e mbrojtjes nisi në shtator 2025. Ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit paraqitën prova dhe e përfunduan çështjen e tyre më 2 dhjetor 2025. Trupi gjykues i mbylli zyrtarisht procedurat e paraqitjes së provave më 18 dhjetor 2025.
Procesi gjyqësor përfshiu një volum të madh materialesh dhe dëshmish. Sipas të dhënave zyrtare të Dhomave të Specializuara, 134 dëshmitarë dëshmuan në gjykatë gjatë procesit.
Prej tyre, 125 u thirrën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dy nga përfaqësuesi i viktimave dhe shtatë nga ekipet e mbrojtjes. Në çështje morën pjesë gjithashtu 156 viktima. Deklaratat përmbyllëse të palëve u zhvilluan nga 9 deri më 18 shkurt 2026.
Pas përfundimit të tyre, trupi gjykues hyri në fazën e shqyrtimit dhe përgatitjes së aktgjykimit.
Gjykata kishte bërë të ditur se periudha e shqyrtimit ishte zgjatur për shkak të vëllimit të madh të provave dhe kompleksitetit të procedurës, me qëllim që të bëhej një vlerësim i plotë, i drejtë dhe i arsyetuar i materialit të çështjes.
Aktgjykimi u caktua për t'u shpallur më 16 shtator 2026, në orën 10:00 në Hagë.
Gati gjashtë vjet në paraburgim
Shpallja e aktgjykimit erdhi gati gjashtë vjet pas transferimit të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ata kanë qëndruar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që nga nëntori i vitit 2020.
Në gjithë këtë periudhë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë deklaruar pafajësinë e tyre dhe kanë kundërshtuar versionin e Prokurorisë për ngjarjet e përfshira në aktakuzë.
Procesi ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë. Pak ditë para shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Edhe në Hagë u organizuan tubime në prag të shpalljes së vendimit.
Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan në bazë të ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015.
Ato janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por selinë e kanë në Hagë të Holandës dhe përbëhen nga personel ndërkombëtar.
Gjykata zbaton ligjet përkatëse të Kosovës dhe mandati i saj lidhet me pretendime për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është ndër çështjet më të mëdha të zhvilluara para Dhomave të Specializuara, si për kohëzgjatjen ashtu edhe për numrin e dëshmitarëve dhe volumin e provave të administruara.
Me shpalljen e aktgjykimit të 16 shtatorit përfn faza e gjykimit në shkallë të parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. /Pamfleti/ gjykimi haga denimet Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burg, shpallet fajtor për krime lufte 16 Shtator 2026, 11:4611:46Kosova Kadri Veseli shpallet fajtor, dënohet me 18 vite burg nga Gjykata e Hagës 16 Shtator 2026, 11:4211:42Kosova Haga e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vite burg, shikoni reagimin e Hashim Thaçit (Video) 16 Shtator 2026, 11:3811:38Kosova Gjykata e Hagës jep vendimin, Jakup Krasniqi dënohet me 25 vite burg 16 Shtator 2026, 11:3811:38Kosova Vendimi i Hagës: Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg 16 Shtator 2026, 11:3411:34Kosova Gjykata e Hagës: Kadri Veseli mori pjesë e inkurajoi kryerjen e krimeve 16 Shtator 2026, 11:3111:31Kosova

