Photo/ Alamy Stock Një përplasje me biçikletë elektrike ka sjellë një vendim të pazakontë në Como të Italisë.
Kryebashkiaku Alessandro Rapinese ka vendosur që, duke nisur nga shtatori, çiklistët të mos lejohen të lëvizin me biçikletë në rreth 30 rrugë të qendrës historike të qytetit. Ata do të mund t’i kalojnë këto zona vetëm duke zbritur nga biçikleta dhe duke e shtyrë atë në këmbë.
Rregulli do të zbatohet si për biçikletat elektrike, ashtu edhe për biçikletat tradicionale.
Sipas The Guardian, vendimi erdhi pas një incidenti në qershor, kur Rapinese u godit nga një biçikletë elektrike teksa po largohej nga bashkia. Përplasja ndodhi menjëherë pasi administrata e qytetit kishte diskutuar një masë për kufizimin e trafikut në qendër. Personi që drejtonte biçikletën nuk është identifikuar.
Vetë kryebashkiaku nuk e mohon se përvoja personale ndikoi në vendimin e tij. Duke folur për agjencinë italiane Ansa, Rapinese tha se njerëzit veprojnë edhe bazuar në përvojat e tyre dhe shtoi se tashmë e di se çfarë do të thotë të goditesh nga “një prej këtyre bishave”.
Rapinese këmbëngul se ndalimi nuk është një hakmarrje personale ndaj çiklistëve, por një masë për sigurinë publike. Sipas tij, qendra historike e Komos përballet me një fluks të madh turistësh dhe rrugët e saj mund të krijojnë rrezik për këmbësorët.
Por vendimi ka shkaktuar kundërshtime.
Grupe banorësh dhe politikanë nga krahë të ndryshëm politikë e kanë akuzuar kryebashkiakun se po e kthen një incident personal në një kufizim që prek të gjithë çiklistët. Ndërkohë, aktivistët kanë nisur një peticion për anulimin e masës dhe çiklistët kanë paralajmëruar një protestë në mesin e shtatorit.
Kritikët vënë në dukje se disa prej rrugëve të prekura janë ndër më të gjerat në qendrën historike dhe ofrojnë një rrugë të përshtatshme drejt Liqenit të Komos. Sipas tyre, ndalimi penalizon një mënyrë transporti me kosto të ulët dhe më pak ndotëse.
Masa pritet të prekë veçanërisht shpërndarësit me biçikleta dhe bizneset që mbështeten tek ata për furnizimet.
Vincenzo Falanga, president i grupit qytetar Nova Como, i cili ka organizuar protestën me biçikleta, e ka akuzuar administratën e Rapineses se po “i kthen problemet individuale në probleme kolektive”.
Edhe dega lokale e Partisë Demokratike ka kundërshtuar masën, duke argumentuar se qyteti duhet të garantojë sigurinë e këmbësorëve pa penalizuar banorët, punëtorët dhe personat që zgjedhin transportin e qëndrueshëm.
Ndërsa politikani i Forza Italia, Paolo Emilio Russo, shprehu keqardhje për incidentin që pësoi kryebashkiaku, por e cilësoi ndalimin si “të çmendur”.
Rapinese, megjithatë, nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet. Ai ka argumentuar se në qytete të tjera politikanët ndërhyjnë pasi një person përfn në spital, ndërsa në rastin e tij, megjithëse u godit nga një biçikletë, nuk pati nevojë për shtrim në spital. Pas incidentit, ai tha se mblodhi informacion dhe prej kësaj lindi masa e re.
Në Como, qytetin italian të lidhur me një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit, debati për biçikletat tashmë është kthyer në një diskutim më të gjerë mbi trafikun, turizmin dhe mënyrën se si duhet të përdoret qendra historike.
Burimi: The Guardian

