Bashkia e Tiranës / Përplasjet mes Qorit, Braçes, Lapajt dhe Alimehmetit favorizojnë Edi Ramën. Modeli i kullave, trafikut, mungesës së ujit dhe hapësirave publike mund të sfidohet vetëm me një alternativë më njerëzore dhe më të drejtë… Aktivistja e Arlind Qorit, e cila i është qepur Erion Braçes me telefon në dorë për ta provokuar, duket qartë se çfarë synon. Qori po kërkon protagonizëm përpara garës së pritshme për Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, Arjan Konomi ka dalë me një gjuhë të shthurur kundër Braçes, me sa duket për llogari të partisë së Adriatik Lapajt. Ilir Alimehmeti, në daljen ku la të kuptohej se mund të kandidonte për Partinë Demokratike, deklaroi me siguri se mund të përballonte çdo rival. Kështu humbi edhe modestinë që e ka karakterizuar përgjithësisht në komunikimin publik.
Të gjitha këto cic-mice favorizojnë vetëm Edi Ramën. Kryeministri, siç ka vepruar edhe herë të tjera, mund ta nxjerrë kandidatin e vet nga xhepi në 24 orët e fundit dhe ta vendosë përballë një opozite të copëzuar nga përplasjet personale.
Tirana nuk është garë emrash. Ajo përfaqëson një sfidë politike që sprovon aftësinë e çdo kandidati për të ndërtuar një projekt qeverisës dhe për të krijuar kapital politik për të ardhmen.
Kryeqyteti përmbledh sot thuajse gjithë Shqipërinë, me demografinë dhe heterogjenitetin e tij, ndërsa shumë qytete të tjera vazhdojnë të zbrazen. Drejtimi i Tiranës ka rëndësi kombëtare dhe mund të shërbejë si shkollë politike për cilindo që synon të drejtojë vendin.
Pretendentët për Bashkinë e Tiranës duhet të paraqesin një ide dhe një plan konkret. Një projekt i tillë kërkon studim, konsultim, ekspertizë dhe, mbi të gjitha, vizion.
Bashkia e Tiranës dhe bashkitë e tjera kanë humbur ndër vite disa nga kompetencat kryesore. Edi Rama kontrollon lejet për ndërtesat mbi 9 kate, qeveria ka marrë kontroll mbi ujësjellësin dhe po krijon një strukturë kombëtare për administrimin e mbetjeve. Kryeministri miraton kulla pa fund dhe imponon vizionin e tij urban mbi qytetin.
Përballë një kandidati të mazhorancës qëndron gjithmonë Edi Rama. Emri në fletën e votimit mund të shërbejë vetëm si maskë e modelit të kryeministrit. Për këtë arsye, kundërshtari i tij duhet të paraqesë një vizion të ri dhe alternativ për kryeqytetin.
Çfarë duhet bërë me kullat? A duhet t’i kontrollojë kryeministri lejet e tyre, apo miratimi duhet t’i kalojë një këshilli të gjerë urbanistik, me transparencë dhe të drejtë vetoje?
Tirana nuk mund të kthehet më te vizioni nostalgjik i atyre që kërkojnë ruajtjen e çdo lagjeje të vjetër ose të çdo zone që cilësohet historike. Kjo mund të ketë qenë një ide e arsyeshme vite më parë, por një pjesë e madhe e transformimit tashmë ka ndodhur. Ajo që është bërë nuk zhbëhet.
Kryeqyteti shqiptar nuk është më vetëm një qytet me zona historike, popullore dhe kulturore. Tirana është kthyer në motorin ekonomik të vendit. Në të jeton një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë, ndërsa çdo vit e vizitojnë miliona turistë, biznesmenë, ndërmjetës, sekserë dhe përfaqësues të botës së krimit.
Tirana është një vorbull parash, aferash dhe gjallërie. Ky realitet nuk mund të kthehet pas. Qyteti ka nevojë për një vizion që ta zbusë këtë furi dhe t’i japë një fytyrë njerëzore kapitalizmit të egër, i cili çon miliona në xhepat e xhagajdurëve të çdo lloji dhe ua vështirëson jetën familjeve që banojnë këtu.
Prindërit heqin picirin për të shkolluar fëmijët. Problemi nuk përfn te shkolla. Çdo ditë ata përballojnë odisenë e transportit, marrjen e fëmijëve pas mësimit, kurset dhe gjetjen e vendeve ku mund t’i lënë për disa orë.
Mjafton të shikosh trafikun në oraret e hapjes dhe mbylljes së shkollave për të kuptuar kaosin që i zë frymën dhe i streson pa ndërprerje qytetarët.
Transporti publik e shfaq krizën përmes autobusëve ku njerëzit ngjeshen si sardele. Lagjet më të populluara, si Komuna e Parisit, Astiri, Yzberishti dhe Fresku, vuajnë mungesën e hapësirave publike. Qytetarët përballen çdo ditë me mbeturinat dhe mungesën e ujit në çezma. Depozitat private nuk u garantojnë as ujë të pijshëm dhe as furnizim të rregullt.
Këto probleme përbëjnë materialin real të garës për Bashkinë e Tiranës. Çdo sfidant duhet të tregojë si do t’i zgjidhë dhe çfarë qyteti kërkon të ndërtojë.
Përballja nuk bëhet vetëm me kandidatin që emëron Edi Rama, por me vetë modelin e kryeministrit, i cili sillet me Tiranën dhe Shqipërinë sikur t’i kishte pronë personale.
Ky model sfidohet me një vizion alternativ dhe me kërkimin e mbështetjes së qytetarëve, jo me cic-mice mes emrash të përveçëm. Përplasjet personale i çojnë ujë mullirit të mazhorancës.
Tirana e Edi Ramës mund të rrëzohet vetëm duke propozuar një Tiranë tjetër, më njerëzore dhe, mbi të gjitha, më të drejtë./Pamfleticic-micet e pretendentëve bashkia e tiranës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike "Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe Vlora Hyseni kanë filluar të flasin", Berisha nga SPAK: E kanë kuptuar që Rama i ka shitur! 5 Tetor 2026, 10:3210:32Politike Viti i ri akademik, Presidenti Begaj: Udhëtim i ri përkushtimi e sfidash 5 Tetor 2026, 08:5108:51Politike Shqipëria me komisioner në Bruksel para anëtarësimit? BE shqyrton skemën e paprecedentë të zgjerimit 4 Tetor 2026, 22:0422:04Politike Ditmir Bushati: Dy gabimet e politikës shqiptare 4 Tetor 2026, 21:4021:40Politike Ditmir Bushati: Shqipëria po përjeton 'hemorragji njerëzore' dhe tkurrje të shtresës së mesme 4 Tetor 2026, 20:2320:23Politike Berisha ja hedh paq për dosjen “Tropoja”, SPAK pezullon hetimet për vrasjen e vëllezërve Haklaj 4 Tetor 2026, 15:4015:40Politike

