Lajme Zone
Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për presidentin e Kosovës: Nuk sigurova mbështetjen e nevojshme
PolitikëPolitiko
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për presidentin e Kosovës: Nuk sigurova mbështetjen e nevojshme

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke e lidhur vendimin me mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike që kanë shoqëruar procesin. Sejdiu ka bërë të ditur se kandidatura e tij ishte propozuar pas një marrëveshjeje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e kishin ftuar si kandidat j

Bekim Sejdiu ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke e lidhur vendimin me mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike që kanë shoqëruar procesin. Sejdiu ka bërë të ditur se kandidatura e tij ishte propozuar pas një marrëveshjeje mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e kishin ftuar si kandidat jopartiak.

Ai tha se e kishte pranuar kandidaturën për shkak të krizës institucionale në vend dhe me synimin për të kontribuar në zhbllokimin e situatës politike.

“Duke qenë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë dhe për rrezikun që kriza institucionale të thellohet, kam pranuar të jem kandidat për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.

Megjithatë, sipas tij, procesi nuk arriti të siguronte votat e nevojshme në Kuvend.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura”, deklaroi ai.

Sejdiu tha se për vendimin kishte njoftuar paraprakisht përfaqësuesit e LDK-së dhe LVV-së, ndërsa falënderoi të gjithë ata që e mbështetën kandidaturën e tij, veçanërisht mërgatën shqiptare në SHBA.

Në reagimin e tij, Sejdiu u bëri thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale dhe të shmangin përshkallëzimin e polarizimit.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, u shpreh ai.

Në fund, Sejdiu tha se shërbimi ndaj Kosovës duhet të jetë mbi interesat individuale dhe partiake, duke e cilësuar vendin si “shtëpia jonë e përbashkët”. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm