Banorët e Maliqit janë shprehur kundër propozimit për riorganizimin territorial dhe shkrirjen e Bashkisë së Maliqit me Korçën. Burime brenda takimit që po zhvillohet me kryeministrin Edi Rama thonë se disa nga pjesëmarrësit kanë kundërshtuar bashkimin e bashkisë së Maliqit me Korçën, duke kërkuar që Maliqi të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
“Mos e shkrini”, “Ne jemi kundër”, “A do t’i shkelë të gjithë kryetari vendet dhe fshatrat?” “Ndryshoni, vendimin mos e shkrini Maliqin”, janë disa nga shqetësimet e përcjella gjatë takimit.
Mësohet se kundërshtimi është adresuar nga qytetarë të ndryshëm, punonjës të administratës, por edhe fermerë, të cilët kanë ngritur shqetësime për specifikat dhe problematikat e fushës së Maliqit.
Sipas të njëjtave burime, në takim është pretenduar se rreth 97 për qind e qytetarëve janë kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit.
Ndërkohë, gjatë diskutimit, kryeministri Edi Rama është shprehur se situata në Korçë dhe Maliq paraqitet ndryshe, duke thënë se korçarët nuk shprehen kundër bashkimit, ndërsa banorët e Maliqit janë të shqetësuar dhe të pakënaqur nga propozimi. Top Channel

