Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Bardh Spahia: Familja e Kryeministrit po kap institucionet që menaxhojnë milionë euro para publike, përmes emërimit të vajzës së tezes të Linda Ramës në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore


Deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka akuzuar qeverinë se po emëron njerëz të afërt me familjen e Kryeministrit Edi Rama në poste kyçe, që administrojnë fonde të konsiderueshme publike.

Deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka akuzuar qeverinë se po emëron njerëz të afërt me familjen e Kryeministrit Edi Rama në poste kyçe, që administrojnë fonde të konsiderueshme publike. Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, Spahia u ndal te emërimi i Yllka Shetajt në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor, duke pretenduar se ajo është familjare e Linda Ramës. Sipas tij, bëhet fjalë për një institucion që menaxhon dhe prokuron shërbime me vlerë qindra milionë euro. Spahia e lidhi këtë emërim edhe me tenderin e hemodializës, me vlerë rreth 50 milionë euro, i cili është anuluar dhe pritet të rihapet. Deputeti i PD-së i kërkoi Ministres së Shëndetësisë të japë shpjegime mbi kriteret e përzgjedhjes së drejtueses së re dhe mbi procedurat e ardhshme të prokurimit. DEKLARATA E PLOTË: Të nderuar qytetarë,

Dje denoncova se si familja e Kryeministrit po kap institucionet që menaxhojnë qindra milionë euro para publike, përmes emërimit të vajzës së tezes së Linda Ramës në krye të Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë zgjodhi ta trajtojë këtë denoncim si një çështje grash. Në vend që të shpjegojë përse një familjare e gruas së Kryeministrit vendoset në krye të një institucioni që administron miliarda lekë, na foli për paragjykimet ndaj grave dhe jo se kujt i jepen për menaxhim paratë publike.

Sot dua t’ia them edhe nga Kuvendi: zonja ministre, këtu nuk është në diskutim emërimi i një gruaje. Në diskutim është emërimi i një familjareje të Linda Ramës, gruas së Kryeministrit, në krye të një institucioni që administron dhe prokuron shërbime me vlerë qindra milionë euro.

Ministrja e Shëndetësisë nuk e mohoi se Drejtoresha e re e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësor, Yllka Shetaj, është vajza e tezes së Linda Ramës. Por ajo nuk pati kurajon të thotë të vërtetën hapur. Mesa duket, mjekja Klodiana Spahiu e ka humbur kurajon dhe dinjitetin, duke iu nënshtruar interesit personal të Edi Ramës.

Emërimi i vajzës së tezes së Linda Ramës në një pozicion kyç ka një arsye, në bazë të së cilës qëndrojnë të paktën 50 milionë euro.

Një nga procedurat që ndodhet sot në këtë institucion është tenderi afro 50 milionë euro i hemodializës, i anuluar me urdhër të Edi Ramës. Ky tender do të duhet të ribëhet. Bashkë me të, shumë procedura të tjera me vlerë qindra milionë euro do të kontrollohen nga njerëzit e familjes së Kryeministrit.

Pas AKSHI-t, ku kontrolli familjar i pushtetit kalon përmes kunatit të Linda Ramës, sot, me firmën e parë të Ministres së Shëndetësisë, kemi një tjetër institucion të rëndësishëm publik që i besohet një tjetër familjareje të gruas së Kryeministrit.

Prandaj sot kam disa pyetje për Ministren e Shëndetësisë:

Pse u zgjodh pikërisht vajza e tezes së Linda Ramës në krye të një drejtorie që menaxhon qindra milionë euro?

Çfarë do të bëjë ndryshe vajza e tezes së Linda Ramës për tenderin e anuluar prej rreth 50 milionë eurosh të hemodializës?

Çfarë do të ndryshojë në tenderin e ri nga procedura që u anulua?

A do ta firmosni projektligjin që është në pritje dhe që parashikon përqendrimin e blerjeve të shëndetësisë në një dorë të vetme?

Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet ministrja. Jo më me retorikë për gratë apo me viktimizim gjinor, por me fakte.

Llogaridhënia publike nuk është çështje grash, por çështje miliardash, pushteti dhe kontrolli familjar mbi paratë publike.

Taksat e shqiptarëve nuk janë dhe nuk duhet të bëhen biznes privat i familjes së Kryeministrit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Akuza Bardh Spahia shendeteia