Është e diel. Gusht. Vapa ka zënë vend mbi Shqipëri me atë këmbënguljen e një zyrtari të sotëm që nuk di kur duhet të largohet. Gjinkallat, të cilat duket se nuk kanë marrë ende vesh lajmin e ardhjes së vjeshtës, vazhdojnë koncertin e tyre të padurueshëm. Në këtë qetësi mbytëse më vjen një mesazh nga një mik: LEXO edhe...Auron Tare: Filmi 'Odisea' dhe debati nacionalist mbi historitë antike E ndjeve tërmetin? Jo, i përgjigjem. Ku? Andej nga ju. Nga jugu. Shoh lajmet që të mësoj se ç'ka ndodhur. Dhe, siç ndodh rëndom në këtë vend, përpara se të gjesh lajmin që kërkon, ndesh një lajm shumë më të rëndësishëm. Ministria e Mjedisit kishte dhënë një njoftim. Një shkabë egjiptiane (Kali i Qyqes) ishte parë në Vjosë. Ngjarja, sipas njoftimit, ishte një prej atyre ngjarjeve të bukura që na kujtojnë se natyra shqiptare ende di të na befasojë dhe, sigurisht, nga punët e mira që kryhen në dobi të mjedisit tonë, shkaba e ikur kushedi se kur kishte vendosur të rikthehej. Lexoj më tej për tërmetin. Nuk kishte ndodhur gjë dhe kjo më qetësoi. Porosita kafenë e mëngjesit dhe iu riktheva lajmit të shkabës. E rilexova dhe vura buzën në gaz. Jo nga gëzimi, por nga trishtimi i thellë kur shikoj se si një institucion i shtetit nuk ka idenë se çfarë shkruan dhe hedh në publik. Nuk kam ndonjë njohje me Ministrin e Mjedisit (dhe jam i bindur se dikush, ndonjë nga ata burokratët e parfumosur, ia ka përgatitur atë dalje publike), por shkabat egjiptiane i njoh disi më mirë. Para rreth dhjetë vjetësh, bashkë me disa specialistë të mjedisit, u përpoqëm të bënim diçka për këtë shpend të rrallë, i cili dikur ishte pjesë e zakonshme e peizazhit shqiptar dhe sot është bërë pothuajse një kujtim. Në malet e Nivicës ngritëm një stacion modest ushqimi. Modest ishte edhe buxheti, natyrisht. Shqipëria nuk ka qenë kurrë bujare me gjëra që nuk bëjnë zhurmë. Disa djem që merren seriozisht me shkabat vazhdojnë ende të ngjiten çdo vit në malet e jugut. I vëzhgojnë, i fotografojnë, i numërojnë, i ndjekin nga sezoni në sezon. U flasin barinjve. Shpërndajnë fletëpalosje. Bëjnë bluza. Përpiqen t'u shpjegojnë njerëzve atë që dikur nuk kishte nevojë për shpjegim, se shkaba nuk është armik i njeriut, por një nga pastruesit më të dobishëm të natyrës. Në këtë punë kam qenë i përfshirë edhe unë, fare modestisht. Prandaj e njoh disi këtë tenë dhe mund të them se në fund të gushtit, shkaba egjiptiane nuk është ndonjë mysafire e papritur që sapo ka mbërritur në Vjosë. Ai/Ajo ka ardhur në pranverë dhe tani është koha kur përgatitet të largohet drejt Afrikës. Sipas të dhënave të specialistëve që e ndjekin këtë specie, përgjatë Vjosës në këtë periudhë duhet të kishte tre çifte dhe një individ të paçiftëzuar, gjithsej shtatë individë. Kali i Qyqes që u filmua nga turistët nuk është pra ndonjë emigrant i ri që ka vendosur të bëjë jetën e tij në Shqipëri falë punëve të mira. Ai është një banor i vjetër i zonës, i cili, me siguri i tmerruar nga flakët që djegin habitatin e tij, ka zbritur më poshtë, buzë Vjosës, për t'u mbrojtur apo për të pirë ujë. Kali i Qyqes, siç quhet shkaba egjiptiane, ushqehet në shumë raste me mbeturinat që hidhen nga bizneset përreth “zonës së mbrojtur të Vjosës”. Për ushqimin e këtyre pak shpendëve, sipas njerëzve që merren realisht me mbrojtjen e tyre, shteti nuk ka gjetur dot as disa kacidhe. Sidomos kur shohim se si, përgjatë Vjosës, gjen investime turistike që ndryshken apo kalben pa asnjë dobi për komunitetet e kupton ironinë e këtij fakti. Mjafton të shikosh kioskat e shtrenjta të Ministrisë së Turizmit që po rrënohen, betonet e hedhura për “sporte aventure” apo shpartallimin e Kanionit të Langaricës, për të kuptuar se, përtej shpërdorimit arrogant të fondeve publike, askush nuk gjeti një fond modest për të mbrojtur këtë shpend kaq të rrallë. Kjo është e vërteta e dukshme. Prandaj do të ishte mirë që Ministri i Mjedisit, nëse i bie ndonjëherë në dorë ky shkrim, të mos zemërohet me autorin, por të zemërohej pak me sistemin që i sjell lajmet. Sepse, nëse informacioni im është i saktë, deri tani Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë asnjë fond për mbrojtjen e kësaj specieje. Zero. Dhe kjo është ndoshta shifra më interesante e gjithë historisë së shkabës egjiptiane, e cila, sipas deklaratës së Ministrit, “kishte vendosur që pas kaq kohe të rikthehej”, a thua se edhe shkaba e shkretë lexon axhanset e ATSH-së apo RTSH-së. Një specie kaq e rrallë, që çdo vit rikthehet në vendlindjen e vet, nuk mund të mbrohet me një deklaratë për shtyp. Ato shtatë individë që kanë mbetur përgjatë Vjosës duan ushqim dhe punë ne mbrojtjen e tyre, dhe jo zhurmë, fotografi apo lavdi administrative. Z. Ministër, ndoshta, ndonjëherë, një telefonatë te njerëzit që prej vitesh ngjiten nëpër malet e jugut për të parë se ku janë shkabat do të bënte që të mësonit se ku ndodhen ato, çfarë hanë dhe sa kanë mbetur. Dhe, mbi të gjitha, çfarë duhet bërë që të mos na duhet një ditë të nxjerrim një tjetër deklaratë për shtyp me Titull “Shkaba egjiptiane u zhduk nga Shqipëria.”/ Marrë nga Facebook i autorit Kali i qyqes, foto e postuar nga Auron Tare Xh.K/ReportTv.al kali i qyqes auron tare Ministria e Mjedisit Komento Komente Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 29.6% Drejtësia 67.8% Nuk e di 2.5% Vota total: 199 Sondazhi i ditës: Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?

