Audi, filial i Volkswagen-it, do të ndërtojë fabrikën e vet në SHBA. Këtë e njoftoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një aktivitet të fushatës zgjedhore të republikanëve. Por mbeten ende çështje për sqarim.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në qytetin Perry, në shtetin e Georgias, se Audi do të investojë katër miliardë dollarë në fabrikë. Parashikohet se nga linja e montimit atje do të dalin rreth 200.000 automjete në vit.
"Besim te tregu amerikan"
Drejtori ekzekutiv i Audi-t, Gernot Döllner, i konfirmoi deklaratat e Trump-it dhe shpjegoi: "Kemi parashikuar të prodhojmë automjetet tona fuoristrada (SUV) më të mëdhenj dhe të cilësisë më të lartë këtu, në Macon, Georgia". Ai shtoi: "Bëhet fjalë për një investim afatgjatë, sepse ne besojmë te tregu amerikan".
Njoftimi i prodhuesit gjerman të makinave i vjen si me porosi presidentit amerikan. Më 3 nëntor zhvillohen zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, dhe republikanët rrezikojnë të humbasin shumicën në Kongres. Në Georgia, përveç kësaj, do të zgjidhet një guvernator i ri. Trumpi dëshiron të bëjë të qartë se politika e tij e tarifave doganore i shërben ekonomisë amerikane. Senatori republikan Bernie Moreno deklaroi se fabrika e Audi-t “nuk do të ishte realizuar kurrë pa një rregullim në favor të ekonomisë”.
Prodhimi pritet të nisë në fillim të viteve 2030
Përkundër kësaj, kritikët argumentojnë se tarifat e vendosura nga qeveria e Trump-it i kanë shtrenjtuar automjetet i dhe kanë vonuar investimet. Aktualisht, Audi i importon automjetet për tregun amerikan nga Evropa dhe Meksika. Një fabrikë në SHBA ka më shumë se një dekadë që ndodhet në listën e dëshirave të kompanisë nga Ingolstadti.
Sipas Audi-t, investimi do të krijojë rreth 4500 vende pune. Nisja e punimeve për fabrikën e Macon-it është parashikuar për vitin e ardhshëm, ndërsa prodhimi pritet të fillojë në fillim të viteve 2030. Parashikohet të prodhohen rreth 200.000 automjete në vit. Në fabrikën e filialit të Volkswagen-it do të montohen modelet Audi Q7, Q8 dhe Q9, sipas deklaratës së një përfaqësuesi të qeverisë amerikane për agjencinë e lajmeve Reuters. Përveç kësaj, Audi planifikon të prodhojë 25.000 automjete në vit në shtetin fqinj të Carolinës së Jugut, po ashtu të destinuara për eksport.
Drejtori ekzekutiv i Volkswagen-it, Oliver Blume, deklaroi se Amerika e Veriut është një pjesë thelbësore e planit të së ardhmes. Rajoni është një treg i rëndësishëm për t'u rritur në mënyrë fitimprurëse. «Një fabrikë e mundshme e Audi-t në SHBA do të krijonte kushte shtesë për këtë: produkte të prodhuara në SHBA për SHBA-në».
Aktualisht, Audi është pak i pranishëm në tregun amerikan. Tarifat e vendosura nga Trump-i vitin e kaluar i kushtuan prodhuesit të makinave 1.2 miliardë euro. Shitjet e Audi-t në SHBA kanë pësuar këtë vit një rënie prej 16% deri më tani.
Zëra kritikë nga Gjermania
Pavarësisht deklaratave të Presidentit Trump dhe drejtorit ekzekutiv të Audi-t, Döllner, mbi ndërtimin e një fabrike të vetë Audi-t në SHBA, miratimi nga Këshilli Mbikqyrës i Volkswagen-it është ende në pritje, ku njoftimi ka të ngjarë të nxisë mjaft diskutime. Kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme, Olaf Lies, deklaroi se ishte strategjikisht e drejtë të shfrytëzohej edhe më mirë tregu amerikan. Megjithatë, kjo nuk duhet të shkojë në dëm të fabrikave gjermane.
"Rritja në Shtetet e Bashkuara duhet të garantojë punësimin dhe krijimin e vlerës këtu, e jo t'i zhvendosë ato". Fabrika kryesore e Grupit Volkswagen, ku bën pjesë edhe Audi, ndodhet në Wolfsburg të Saksonisë së Poshtme.
Kryetarja e sindikatës IG Metall, Christiane Benner, e cila është gjithashtu zëvendëskryetare e Këshillit Mbikëqyrës të Volkswagen-it, kërkoi perspektiva detyruese për punonjësit e të gjitha fabrikave. Një zëdhënës i IG Metall deklaroi se do të ishte më se e çuditshme që një drejtues i sektorit automobilistik gjerman të shndërrohej në bashkëpunëtor të fushatës elektorale të një presidenti të SHBA-së, i cili dëshiron t'i kthejë prodhuesit e makinave gjermane në amerikanë.
“Trumpi kurrë nuk i ka fshehur synimet e tij: ai dëshiron të dobësojë ekonominë tonë kombëtare, veçanërisht sektorin e automobilave; ai synon që vlera e shtuar dhe vendet e punës të zhvendosen në anën tjetër të Atlantikut, dhe politika e tij e tarifave është mjeti për këtë”, deklaroi përfaqësuesi i IG Metall. “Është e vështirë të kuptohet se pse, pikërisht në këtë situatë, Gernot Döllner i zgjat dorën Trump-it. Sidomos duke pasur parasysh se vetë kompania e tij po vë në pikëpyetje fabrika dhe rajone të tëra në këtë vend”.
Parashikohet shkurtimi i 50.000 vendeve të punës
Drejtuesit e Volkswagen-it dhe këshilli i ndërmarrjes po diskutojnë aktualisht mbi ecurinë e ardhshme të grupit të automobilave. Drejtori ekzekutiv i VW-së, Blume, dëshiron të eliminojë edhe 50.000 vende të tjera pune në mbarë botën nga tani deri në vitin 2030. Mbas vitit 2030, prodhimi në katër fabrika gjermane është në pikëpyetje. Në diskutim është gjithashtu edhe fabrika e Audi-t në Neckarsulm./ DW Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

