Elseid Hysaj ishte protagonist në fitoren e Kombëtares, duke dhënë një asist të pazakontë për golin e dytë të Ernest Muçit. Pas ndeshjes, mbrojtësi shkodran komentoi me humor momentin që solli golin, duke e cilësuar si një nga asistet më të veçantë të karrierës së tij. Hysaj u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe ndryshimin e skemës taktike, duke vlerësuar edhe qasjen më sulmuese të trajnerit.
Në prononcimin për “Supersport”, ai foli edhe për të ardhmen e tij, duke zbuluar se pas ndeshjeve me Kombëtaren do të marrë një vendim për karrierën. Mbrojtësi nuk e përjashtoi mundësinë e një aventure të re jashtë kampionateve ku ka luajtur deri më tani, duke lënë të hapur çdo mundësi.
“Ishte një rast që ata donin të kundërsulmonin shpejt me portierin. E pashë që topi po vinte me shpejtësi të madhe dhe thashë: do t’i bie edhe unë. Për mua ishte asisti më i bukur që kam dhënë në karrierë, si puna e Inzagit kur shënonte golat në pozicion jashtë loje. Këtë do ta mbaj mend, se ishte një asist i çuditshëm.
Jam shumë i gëzuar për pjesën e fitores, se ne si grup e meritonim të fitonim, sepse në ndeshjet e kaluara e lamë pak si keq pjesën e lojës. U keqkuptua gjithçka, si për ne, ashtu edhe për trajnerin. Jam shumë i kënaqur për këtë ndeshje, për të gjithë çunat dhe për trajnerin tonë.
Kemi bërë lojë tjetër me mbrojtjen me 3, kemi pasur më shumë raste për të qenë para portës, duke luajtur me Hoxhën dhe Muçin mbrapa Manajt. Trajneri po tregon që po kërkon një lojë më shumë sulmuese sesa difensive.
I kam propozuar Dukës të bëjë një kontratë që të luaj vetëm për Kombëtaren dhe të rri pushim. Mbas Kombëtares do të bëj një zgjedhje për karrierën time. Kur kalojnë momentet e skuadrave që të kërkojnë, pastaj fiket njëçik si merkato, pastaj ndizet prapë. Është një moment pak i çuditshëm dhe vetë i kam dhënë më shumë kohë seç duhet. Mbas Kombëtares do ta gjej një zgjidhje, do ta shikoni të gjithë.
Ndoshta kam qejf të iki në një kampionat që nuk mund ta arrij. Mbas Kombëtares mund të ofrohet ndonjë gjë më e bukur se ato që kam”, tha Hysaj. Top Channel

