Kam qenë gjithmonë i bindur se protesta është një nga të drejtat më të rëndësishme të një shoqërie demokratike. Madje, një demokraci ku qytetarët nuk protestojnë është shumë më shqetësuese se një demokraci ku protestohet shpesh. Por ajo që përjetova te ura e Hotel Dajtit në Tiranë më ngriti një pyetje tjetër: ku mbaron e drejta për të protestuar dhe ku fillon e drejta e një grupi njerëzish për të marrë peng pjesën tjetër të qytetit? Sepse ajo që pashë aty kishte pak lidhje me idenë që kam unë për një protestë që kërkon të bindë, të ndërgjegjësojë apo të tërheqë qytetarët rreth një kauze. Ishin rreth 100 persona. Përshtypja ime ishte se pothuajse gjysma ishin fëmijë, disa prej tyre rreth 10 vjeç. Me siguri shumë prej tyre banonin në lagjet pranë bulevardit dhe protesta e përditshme ishte kthyer në një lloj argëtimi pasditeje. Madje fëmijët bërtisnin e shanin me fjalorin më të ndyrë që mund të ekzistojë. Teksa i shihje duke vrapuar mes protestuesve dhe makinave, të shkonte mendja se prindërit e tyre ndoshta mendonin se kishin dalë të luanin me shokët në lagje. Vetëm se loja zhvillohej në mes të një rruge të bllokuar, mes njerëzve të acaruar dhe makinave të ngecura në trafik. Për rreth një orë e gjysmë, qindra qytetarë mbetën të bllokuar. Shumë prej tyre kishin fëmijë të vegjël në makina. Ishte ende vapë, makinat qëndronin njëra pas tjetrës dhe nervozizmi rritej me çdo minutë. Në fillim dëgjoheshin thirrjet: “Bashkohuni me ne!”… Pastaj: “Fikini makinat!” LEXO EDHE:Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës masa të shtuara për institucionet arsimore! Në fokus garantimi i procesit të rregullt mësimor Deri këtu mund të konsideroheshin pjesë e retorikës së protestës. Por absurdi arriti kulmin kur nga protestuesit filluan presionet ndaj qytetarëve që të fiknin motorët sepse me pretendimin se “po na bëni vapë”. Ironia është pothuajse perfekte. Ti bllokon qindra makina në mes të Tiranës dhe pastaj kërcënon njerëzit që ke bllokuar sepse makinat e tyre po të bëjnë vapë. Por situata nuk mbeti vetëm te fjalët. Pati kërcënime ndaj drejtuesve të mjeteve, presion, goditje ndaj makinave dhe përplasje. Në krye të grupit spikasnin dy-tre persona që fryheshin si gjela dhe silleshin sikur rruga t’u përkiste atyre. I afroheshin kujtdo që kundërshtonte, ngrinin zërin, kërcënonin dhe kërkonin bindje. Dhe këtu ndodhi transformimi më absurd i protestës: qytetari që protestuesit supozohej se donin ta kishin në krah, u shndërrua në armikun e tyre. Nëse kundërshtoje bllokimin, ishe kundër tyre. Nëse kërkoje të kaloje, ishe kundër tyre. Nëse nuk fikje makinën, ishe kundër tyre. Nëse nuk pranoje thirrjen “bashkohuni me ne”, trajtoheshe si kundërshtar. Dhe të gjitha këto kundërshti hasnin me një fjali përmbyllëse nga protestuesit ku shaheshin robt e drejtuesve të mjeteve. Por pse duhet të bashkohet me ty një qytetar të cilit sapo i ke bllokuar rrugën për një orë e gjysmë, i ke lënë fëmijën në vapë dhe më pas i ke goditur makinën me shkelma? Çfarë kauze fitohet kështu? Situata kulmoi kur drejtuesi i një automjeti me targa britanike, për shkak të asaj që ai e paraqiste si emergjencë, tentoi të kalonte duke hipur në trotuar. Pasoi sherri me protestuesit dhe tensioni shkoi deri në përplasje fizike. Dhe aty kërkova me sy policinë. Nuk kishte. Ose, më saktë, pothuajse nuk kishte. I vetmi që pashë ishte një polic i moshuar, me radion në dorë, që qëndronte aty praktikisht pa mundur të bënte asgjë. Një polic përballë rreth 100 protestuesve, qindra makinave, qindra qytetarëve të irrituar, fëmijëve që endeshin mes protestës dhe një situate që po degradonte në përplasje fizike. Kjo më duket edhe më e rëndë sesa vetë bllokimi i rrugës. Sepse lind pyetja: ku ishte Policia e Shtetit? Kur ka protestë përpara Kuvendit, Tirana sheh barriera, dhjetëra e qindra efektivë, forca të ndërhyrjes dhe masa sigurie. Institucionet rrethohen dhe mbrohen. Po qytetari? Kur qindra qytetarë mbeten të bllokuar në rrugë dhe përballen drejtpërdrejt me protestuesit, pse nuk ka askënd që të vendosë një vijë ndarëse mes palëve dhe të parandalojë konfliktin? Këtu ka vetëm dy mundësi dhe të dyja janë të këqija. Ose kemi një papërgjegjshmëri të frikshme të shtetit, që pret që qytetarët dhe protestuesit t’i zgjidhin vetë konfliktet në rrugë. Ose mungesa e policisë krijon, me dashje apo pa dashje, pikërisht kushtet që protestuesit dhe qytetarët e irrituar të përplasen mes tyre. Nuk dua të besoj variantin e dytë. Por është e pamundur të mos e shtrosh pyetjen kur sheh një situatë të tillë, aq më tepër kur i kërkon ndihmë në telefon 129 dhe nuk vjen asnjë patrullë të parandalojë së paku grushtet. Dhe pastaj vijmë te argumenti i madh që brohoritnin disa që nga kallupi dukeshin se s’kishin lidhje as me politikën e as me qytetarinë: “Kjo është mosbindje civile.” Mosbindja civile nuk është sinonim i të bërit çfarë të duash në rrugë. Në kuptimin klasik të saj, po e perifrazoj: Ajo është një shkelje e ndërgjegjshme, publike dhe jo e dhunshme e një norme, e bërë për të kundërshtuar një padrejtësi dhe duke pranuar edhe pasojat juridike të aktit. Martin Luther King Jr. nuk e konceptonte mosbindjen civile si leje për të kërcënuar qytetarin që nuk të bashkohet. As si të drejtë për t’i rënë makinës së dikujt me grushta e shkelma. As si licencë për të ushtruar presion fizik mbi njerëzit që rastësisht ndodhen përballë teje dhe nuk mendojnë si ti. Sidomos kur protesta zhvillohet pa një paralajmërim të qartë për qytetarët se në një orar të caktuar do të bllokohet një aks i rëndësishëm rrugor, problemi bëhet edhe më serioz. Qytetari nuk ka as mundësinë të zgjedhë një rrugë tjetër. Ai thjesht mbërrin aty dhe zbulon se dikush tjetër ka vendosur për të se ku dhe për sa kohë do të qëndrojë. Edhe mosbindja civile mund të shkaktojë bezdi. Në fakt, shpesh synon pikërisht të prishë normalitetin. Por ekziston një ndryshim i madh mes shqetësimit të shoqërisë për ta bërë të dëgjojë një kauzë dhe agresionit ndaj qytetarit që nuk pranon t’i nënshtrohet protestuesit. Ajo që pashë ishte një taktikë që, sipas meje, po prodhon efektin e kundërt të atij që duhet të kërkojë çdo protestë politike. Në vend që njerëzit të pyesin: “Përse po protestojnë këta njerëz?”, pas një ore e gjysmë të bllokuar në trafik pyetja bëhet: “Kur do shporren këta nga rruga?” Në vend që qytetari të dëgjojë kauzën, dëgjon kërcënimin. Në vend që të afrohet, largohet. Në vend që protestuesi ta fitojë qytetarin, e kthen kundër vetes. Dhe gjuha e urrejtjes e përkeqëson edhe më shumë këtë raport. Një protestë që fillon ta ndajë shoqërinë mes “nesh” dhe “atyre”, ku kushdo që nuk bashkohet konsiderohet armik, tradhtar apo pjesë e problemit, nuk po zgjeron mbështetjen e saj, por po ndërton një gardh rreth vetes. Njëqind njerëz nuk mund të pretendojnë se përfaqësojnë qytetarët duke u imponuar qindra qytetarëve të tjerë. Nëse synimi i protestës është të ushtrojë presion mbi pushtetin, pse kostoja më e madhe e saj duhet t’i faturohet qytetarit të zakonshëm? Aq më tepër që si zyra e Berishës, ashtu edhe e Ramës, ishin vetëm dhjetëra metra larg vendit ku kishin vendosur të merrnin peng qytetarët me makina. Pse nuk shkuan të bllokonin dyert e tyre, por rrugët? Ministri nuk ishte në atë trafik. Deputeti nuk kishte fëmijën duke qarë në sediljen e pasme. Kryeministri nuk po priste një orë e gjysmë në vapë dhe errësirë. Aty ishin qytetarët. Dhe kur protestuesi zgjedh qytetarin si objekt të presionit, ndërsa policia zhduket dhe e lë situatën të zgjidhet mes tyre, kemi krijuar formulën më të keqe të mundshme: Pushteti shikon nga larg, protestuesi dëmton qytetarin dhe qytetarët në shumicë nisin të urrejnë protestuesit. U.D/Shqiptarja.com TAG: Tirane protestat kunder qeverise ardit rada Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.7% Magjistratëve 16.4% Nuk e di 6% Vota total: 3912 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

