Lajme Zone
Anulohet tenderi 50 milionë euro për hemodializën, ministrja e re e Shëndetësisë ndalon procedurën
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Anulohet tenderi 50 milionë euro për hemodializën, ministrja e re e Shëndetësisë ndalon procedurën

Tenderi me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend është anuluar nga autoriteti kontraktor.

Tenderi me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend është anuluar nga autoriteti kontraktor. Procedura, me objekt ofrimin e shërbimit të hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit për një periudhë 48-mujore, kishte një fond limit prej 4 miliardë e 591 milionë lekësh pa TVSH.

Tenderi ishte zhvilluar me procedurë të hapur dhe në garë kishte marrë pjesë vetëm një operator, kompania Diaverum AB. Subjekti ishte shpallur fitues më 10 shtator 2026, me një ofertë prej 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekësh pa TVSH.

Megjithatë, procedura është anuluar më pas, ndërsa sipas të dhënave të publikuara në sistemin Open Data të Agjencisë së Prokurimit Publik, shkak për anulimin është bërë konstatimi i “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.

Procedura kishte nisur më 17 gusht dhe afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 1 shtator, pra vetëm 15 ditë pas publikimit të njoftimit.

Në dokumentet e tenderit, autoriteti kontraktor e kishte justifikuar shkurtimin e afatit me urgjencën për garantimin e vijimësisë së shërbimit të hemodializës, duke e cilësuar atë si një shërbim shëndetësor esencial dhe jetik. Argumentimi lidhej edhe me përfundimin e kontratës ekzistuese dhe kohën e nevojshme për zhvillimin e një procedure të re.

Anulimi vjen në nisje të drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë nga ministrja e re Klodjana Spahiu. Tashmë pritet që për shërbimin e hemodializës të ndiqet një procedurë e re prokurimi, pas konstatimit të problematikave në dokumentet e tenderit të parë.

Tenderi kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë kishte vetëm një konkurrent, ndërsa procedura ishte shënuar me “RedFlag” në analizën e të dhënave të prokurimit. Ky shënim lidhet me rrethana që mund të sinjalizojnë risk potencial në aspektin e pajtueshmërisë ligjore apo të praktikave të prokurimit, por nuk përbën në vetvete konstatim të një shkeljeje apo korrupsioni. Top Channel