Lajme Zone
Alban Daci: A mund të falet një person i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës?
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Alban Daci: A mund të falet një person i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Edhe një zbutje e dënimit nuk do të thotë se personi është shpallur i pafajshëm. Ajo nuk zëvendëson një vendim gjyqësor dhe nuk ka të njëjtën natyrë me një apelim që mund të prekë konstatimet e aktgjykimit.

Rasti i Hashim Thaçit dhe kufijtë e kompetencës presidenciale. Debati pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit kërkon fillimisht një sqarim juridik dhe institucional: kush e ka dhënë vendimin dhe çfarë janë Dhomat e Specializuara të Kosovës? Në diskursin publik përdoret shpesh shprehja “Gjykata e Hagës”, por në këtë rast terminologjia e saktë është Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Ato nuk janë as Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe as Gjykata Penale Ndërkombëtare. Janë një institucion i veçantë gjyqësor, i krijuar në vitin 2015 mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese dhe të Ligjit nr. 05/L-053. Po ashtu, duhet dalluar roli i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila heton dhe ndjek penalisht, nga ai i Dhomave të Specializuara, të cilat gjykojnë dhe marrin vendime. Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Të katër u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit dhe për disa incidente të veçanta. LEXO edhe...Hagë/ Ish-këshilltari takon Hashim Thaçin! Zbulon mesazhin e tij për popullin e Kosovës: U bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë Këtu është i rëndësishëm statusi procedural i Thaçit. Ai është aktualisht i dënuar në shkallë të parë. Kjo do të thotë se Trupi Gjykues ka dhënë një aktgjykim mbi fajësinë dhe dënimin, por kjo nuk duhet barazuar automatikisht me përfundimin e të gjitha mjeteve juridike. Sistemi i Dhomave të Specializuara parashikon mundësinë e ankimit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë. Prandaj, nga pikëpamja procedurale, duhet bërë dallimi midis një aktgjykimi të shkallës së parë dhe një vendimi që ka përfunduar pas shterimit të mjeteve juridike. Ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm kur flitet për faljen. Ankimi dhe falja nuk janë i njëjti mekanizëm. Ankimi është pjesë e procesit gjyqësor dhe synon shqyrtimin e aktgjykimit nga një trup tjetër gjyqësor. Nëpërmjet ankimit mund të kundërshtohen, sipas bazave të parashikuara nga ligji, çështje që lidhen me konstatimin e fajësisë, zbatimin e ligjit ose dënimin. Pra, ankimi lidhet drejtpërdrejt me aktgjykimin. Falja është diçka tjetër. Ajo nuk është një shkallë gjyqësore dhe nuk zëvendëson ankimin. Kushtetuta e Kosovës i njeh Presidentes së Republikës kompetencën për të dhënë falje individuale, por kjo kompetencë ushtrohet në pajtim me kufizimet që përcakton ligji. Në rastin e Dhomave të Specializuara ekziston një rregull i posaçëm. Neni 51 i Ligjit nr. 05/L-053 përcakton se aktgjykimet e Dhomave të Specializuara nuk i nënshtrohen faljes së parashikuar nga neni 84(29) i Kushtetutës dhe se personat e dënuar prej tyre nuk janë të përshtatshëm për një falje të tillë, pavarësisht vendit ku vuhet dënimi. Kjo e bën të nevojshme një tjetër dallim: falja nuk duhet ngatërruar me zbutjen, komutimin ose ndryshimin e dënimit. Ligji për Dhomat e Specializuara parashikon një mekanizëm të posaçëm sipas të cilit kohëzgjatja e dënimit mund të ndryshohet, të alterohet ose të komutohet vetëm përmes mekanizmave të parashikuar nga vetë sistemi i Dhomave. Vendimmarrja për këtë çështje i atribuohet Presidentes së Dhomave të Specializuara, në konsultim me gjyqtarët përkatës dhe mbi bazën e kritereve të përcaktuara në ligj. Pra, juridikisht kemi të bëjmë me tre mekanizma të ndryshëm. Ankimi synon rishikimin gjyqësor të aktgjykimit. Falja presidenciale është një kompetencë e kreut të shtetit, por që në këtë sistem është e përjashtuar për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara. Ndërsa komutimi, ndryshimi ose alterimi i dënimit është një mekanizëm i posaçëm brenda sistemit të Dhomave dhe lidhet me vetë dënimin, jo me rishikimin e fajësisë nëpërmjet një ankimi. Edhe një zbutje e dënimit nuk do të thotë se personi është shpallur i pafajshëm. Ajo nuk zëvendëson një vendim gjyqësor dhe nuk ka të njëjtën natyrë me një apelim që mund të prekë konstatimet e aktgjykimit. Në praktikën e Dhomave ekzistojnë raste ku Presidentja e Dhomave ka marrë vendime për komutimin, ndryshimin ose alterimin e dënimeve në bazë të nenit 51(2). Këtu duhet bërë edhe një dallim institucional i rëndësishëm. Presidenti i Republikës së Kosovës është kreu i shtetit dhe ushtron kompetencat që i jep Kushtetuta. Presidenti i Dhomave të Specializuara është drejtues i një institucioni të veçantë gjyqësor dhe ushtron kompetencat që i jep Ligji për Dhomat e Specializuara. Të dyja funksionet nuk janë të njëjta dhe as kompetencat e tyre nuk mund të përdoren në mënyrë të ndërsjellë. Në rastin e Hashim Thaçit, për këtë arsye, duhet pasur kujdes që debati publik të mos i barazojë këto mekanizma. Në fazën aktuale, kemi një aktgjykim të shkallës së parë, ndaj të cilit ekziston mundësia e mjeteve juridike të parashikuara nga sistemi i Dhomave. Çështja e faljes presidenciale është një çështje tjetër dhe duhet vlerësuar në dritën e kufizimit të posaçëm të nenit 51. Ndërsa çdo diskutim i ardhshëm mbi ndryshimin ose zbutjen e dënimit do të lidhej me mekanizmat e posaçëm të parashikuar nga vetë Dhomat. Në përfundim, dallimi juridik është i rëndësishëm: ankimi lidhet me shqyrtimin e aktgjykimit, falja me kompetencën e faljes së personit dhe zbutja ose komutimi me trajtimin e dënimit sipas mekanizmave të posaçëm të parashikuar nga ligji. Për rastin e Thaçit, këto nuk duhen trajtuar si alternativa të njëjta juridike, por si procedura me natyrë, qëllim dhe autoritete të ndryshme. Xh.K/ReportTv.al rexhep selimi Jakup Krasniqi kadri veseli alban daci hashim thaci Gjyqi ndaj UCK ne Hage Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.8% Të gabuar 88.1% Nuk e di 5.1% Vota total: 6548 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?