Shoferi i skrepit i cili u përfshi në aksident mbrëmjen e së hënës në Vlorë është vënë në pranga. Nga aksidenti i regjistruar në aksin Fier-Vlorë humbi jetën shefi i Krimeve të Vlorës, Ermal Lulaj. Mësohet se 63-vjeçarit Thanas Poçaj i është komunikuar në spital masa e sigurisë pasi edhe ai mori plagë nga aksidenti. Sipas policisë, Lulaj humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit për shkak të lagështisë dhe motit të keq me shi. “Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Th. P., 63 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë. Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit”, njoftoi dje policia. Homazhe në Policinë Fier për oficerin e Krimeve të Rënda Ermal Lulaj

