Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e 12 shtatorit në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll. Automjeti ishte i parkuar në oborrin e banesës dhe nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Sipas raportimeve, në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja, ndërsa familjarët, të cilët sapo ishin kthyer nga Italia, fatmirësisht nuk janë prekur nga plumbat. Banorët njoftuan policinë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe ngriti pika kontrolli në bashkëpunim me DVP Dibër.
Gjatë kontrolleve të territorit, rreth dy kilometra larg vendit ku ndodhi sulmi, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, policia gjeti të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së tij, në brendësi u gjetën dy armë zjarri kallashnikov, të cilat ishin djegur pjesërisht dhe u sekuestruan si prova materiale. Nga verifikimet rezultoi se “Golf”-i ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më 31 korrik 2025, pasi pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte kallëzuar vjedhjen e automjetit. Dyshohet se automjeti mund të jetë përdorur nga autorët e sulmit dhe më pas është djegur në përpjekje për të humbur gjurmët.
Policia vijon kontrollet në zonat ku dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët, ndërsa për hetimin po bashkëpunohet edhe me DVP Tiranë, Lezhë dhe Kukës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon mbledhjen e provave dhe verifikimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të plagosur apo viktima. Gjithashtu, ende nuk është bërë e ditur nëse familja në drejtim të së cilës u qëllua ka pasur konflikte apo probleme të mëparshme që mund të lidhen me ngjarjen.

