Lajme Zone
KulturëEuronews Albania

14-vjeçarja që mëson prej 7 vitesh punimin e qilimave, traditë e trashëguar nga familja që në fëmijëri


Është vetëm 14 vjeçe, por prej shtatë vitesh e gjen në këtë punishte. Kamela Musai ka nisur të mësojë punimin e qilimave që në moshën 7-vjeçare, duke ndjekur nga afër punën e hallës së saj.

Është vetëm 14 vjeçe, por prej shtatë vitesh e gjen në këtë punishte. Kamela Musai ka nisur të mësojë punimin e qilimave që në moshën 7-vjeçare, duke ndjekur nga afër punën e hallës së saj. Sot, sa herë ka kohë të lirë, rikthehet në punishte për të punuar dhe për të mësuar më shumë nga ky zanat. “Unë kam 7 vite që punoj dhe e kam mësuar nga halla ime që e vogël. Gjatë pushimeve të verës, unë vij këtu dhe punoj, se më pëlqen të punoj. Shihja hallën duke punuar edhe mendoja: pse mos ta bëj dhe unë këtë zanat, ta mësoj duke u rritur? Edhe tani vij këtu gjatë pushimeve, ku kam kohë të lirë, vij e punoj te halla, ndihmoj hallën”, është shprehur Kamela. Ajo nuk e sheh vetëm si një mënyrë për të kaluar kohën e lirë. Kamela thotë se dëshiron ta ketë këtë zanat edhe në të ardhmen, ndërsa në punishte ka sjellë edhe shoqet e saj të klasës. “Edhe rinia mund ta ketë qejf. Sidomos unë kam ardhur dhe shoqet e mia i kam prurë këtu. Shoqet e klasës i kam prezantuar me hallën time, e kanë pëlqyer shumë si punë dhe duan të punojnë prapë”, ka vijuar më tej ajo. Për Kamelën, zanatet tradicionale nuk duhet të mbeten vetëm një trashëgimi e brezave të vjetër. Ajo mendon se të rinjtë duhet të kenë mundësi t’i mësojnë që në shkollë, përmes programeve që nxisin punën praktike dhe artizanatin. “Do doja shumë që puna e dorës të ishte një orë lëndë mësimi në shkolla, ku të mësohet bërja e qilimave, bërja me shtiza, qepja me pulla dhe shumë gjëra të tjera”, është shprehur ajo. Në një kohë kur zanatet tradicionale dhe puna me dorë po bëhen gjithnjë e më të rralla, Kamela është një prej të rinjve që ka zgjedhur të mësojë një prej tyre. Një traditë që nisi në familje, tashmë ajo dëshiron ta çojë edhe te brezi i saj.