Kredimarrësit shqiptarë po përmbushin në kohë detyrimet ndaj bankave, duke e çuar nivelin e kredive me probleme në nivelin më të ulët në dy dekada. Në qershor, huat e pakthyera në afat zbritën në 3.7% të totalit. Qytetarët dhe bizneset po tregohen të rregullt në kthimin e kredive. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në qershor të këtij viti, niveli i huave të pakthyera në afat në banka arriti në 3.7% të totalit të kredidhënies në vend. Një muaj më parë, ky tregues ishte rritur në 3.77%. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2007. Ulja e nivelit të kredive me probleme po ndodh paralelisht me rritjen e huadhënies, e cila ka vijuar me ritme të kënaqshme vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në ecurinë e treguesit të kredive në vonesë. Megjithatë situata gjeopolitike dhe kryesisht lufta në Lindjen e Mesme mbeten rreziqe potenciale për të gjithë ekonominë globale, përfshirë atë shqiptare, të cilat mund të ndikojnë kryesisht në drejtim të shtrenjtimit të çmimeve dhe kjo në një reaksion zinxhir efektesh do të shkaktonte rritjen e kostove për qytetarët dhe bizneset.
