“Mos na merrni ujin!” Me këtë thirrje, banorët e fshatit Burimas në Maliq kanë dalë në protestë, duke bllokuar rrugën hyrëse të fshatit dhe ndaluar mjetet e Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve të Korçës. Shkak i protestës është një projekt për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatit fqinj, Zvezdë. Banorët e Burimasit kundërshtojnë marrjen e ujit nga burimi i fshatit të tyre, pasi thonë se ndërhyrja mund të ndikojë në furnizimin e tyre. Për banorët, zgjidhja është që investimi për Zvezdën të realizohet pa prekur burimin nga i cili furnizohet Burimasi. “Për momentin ne kemi ujë dhe do t’i falemi Zotit për natyrën që na ka dhënë. Nuk na dha as bashkia, as ujësjellësi. Ne protestojmë sepse duam të mbrojmë ujin. Kërkojnë të na e marrin edhe këtë ujë dhe t’ia japin fshatit Zvezdë. Jemi ngritur dhe do ngrihemi, do vijojmë ta kërkojmë me forcën më të madhe që të mos e marrin ujin”, është shprehur një banore. Nga ana tjetër, të kontaktuar nga Euronews Albania, përfaqësues të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve në Korçë shprehen se projekti i miratuar parashikon furnizimin me ujë të pijshëm të një pjese të konsiderueshme të zonës. Sipas tyre, ndërhyrja bëhet në kuadër të projektit për përmirësimin e furnizimit me ujë të banorëve të Zvezdës dhe zonave përreth, duke synuar zgjidhjen e një problemi të kahershëm të furnizimit me ujë në zonën e Maliqit. Edhe gjatë vitit të kaluar, banorët e Zvezdës kanë protestuar, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm. Ndërsa këtë të mërkurë, konflikti është zhvendosur në Burimas, ku banorët thonë se nuk do të lejojnë që zgjidhja e problemit të Zvezdës të bëhet duke cenuar furnizimin e tyre me ujë.
