Protesta e 119-të kundër qeverisë vijon me marshimin e qytetarëve në rrugët e Tiranës. Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke shoqëruar marshimin me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Një prej kërkesave kryesore të protestuesve është dorëheqja e Ramës, si edhe vënia para drejtësisë e kryeministrit Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilët i akuzojnë për korrupsion dhe afera. Gjatë marshimit u rikthyen në vëmendje edhe disa prej çështjeve që kanë dominuar debatin politik dhe publik gjatë ditëve të fundit, mes tyre zhvillimet rreth AKSHI-t dhe çështja që lidhet me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni. Protestuesit deklaruan se do të vijojnë të dalin në sheshe deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa marshimi i mbrëmjes u shoqërua me thirrje për ndryshim dhe përgjegjësi institucionale. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
