Lajme Zone
10 mijë euro pagë, mijëra ditë për një vendim: Drejtësia që kërkon shumë dhe vonon gjatë
PolitikëPamfleti

10 mijë euro pagë, mijëra ditë për një vendim: Drejtësia që kërkon shumë dhe vonon gjatë

Por, përtej debatit qeveri-drejtësi se kush ka të drejtë në betejën për pagat, lind një pyetje tjetër: a e marrin qytetarët shërbimin në proporcion me pagat që marrin apo kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët?

Foto ilustruese Teksa gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë paga gjithnjë e më të larta, që për kategori të caktuara shkojnë deri në afro 1 milion lekë në muaj, qytetarët vazhdojnë të sorollaten dyerve të gjykatave për procese që zgjasin me vite. Nga dosjet penale te çështjet civile dhe administrative, zvarritjet mbeten një nga problemet kryesore të sistemit. Përballë kërkesave për paga më të larta lind pyetja: a e justifikon shërbimi që ofron sot drejtësia këtë nivel pagash? Debati i ditëve të fundit ka qenë çështja e pagave të magjistratëve. Edhe pse me reformën në drejtësi pagat e tyre u rritën ndjeshëm, gjyqtarët dhe prokurorët shtuan oreksin, duke kërkuar një rritje që në disa raste i afrohej dyfishimit të pagës. Për gjyqtarët e GJKKO-së, paga shkonte madje deri në afro 10 mijë euro në muaj, pra shumë e lartë krahasuar me pagën mesatare në vend.

Por, përtej debatit qeveri-drejtësi se kush ka të drejtë në betejën për pagat, lind një pyetje tjetër: a e marrin qytetarët shërbimin në proporcion me pagat që marrin apo kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët?

Shifrat e kohëzgjatjes së proceseve tregojnë se drejtësia shqiptare vazhdon të ketë një problem të madh me zvarritjen. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në gjykatat e zakonshme, të mbingarkuara me mijëra dosje, por edhe në GJKKO, gjykata e krijuar posaçërisht për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave të bëra publike gjatë debatit për pagat, formula e kërkuar nga institucionet e drejtësisë do ta çonte pagën e gjyqtarit të shkallës së parë nga 376,381 në 567,421 lekë në muaj. Për një gjyqtar të Grupit III në GJKKO, paga nga 659,920 lekë do të arrinte në 994,877 lekë në muaj.

Pra, për kategorinë më të lartë në GJKKO bëhet fjalë për një shtesë prej afro 335 mijë lekësh çdo muaj.

Pagë afro 1 milion lekë, dosjet e mëdha vazhdojnë

GJKKO është edhe vendi ku kontrasti shihet më qartë, pasi aty janë përqendruar proceset më të rëndësishme penale ndaj politikanëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.

Sali Berisha vazhdon të gjykohet për dosjen “Partizani”. Më 14 shtator, çështja ishte ende në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të SPAK, ndërsa seanca u shty sërish, këtë herë për shkak të bojkotit të avokatëve. Seanca e ardhshme u caktua për 28 shtator.

Edhe gjyqi ndaj ish-presidentit Ilir Meta vazhdon. Vetëm më 17 shtator seanca e radhës u shty për në 24 shtator, këtë herë për shkak të mungesës së një anëtareje të trupit gjykues. Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa procesi në themel vijon në GJKKO. Gjykatësit e turpit

18 Shtator, 11:24 Procesi për koncesionin e sterilizimit, ku ndër të pandehurit është ish-ministri Ilir Beqaj, ka kaluar gjithashtu në një seri të gjatë seancash. Në mars të këtij viti gjykata diskutonte ende pretendimet e Beqajt se nuk ishte njohur siç duhej me akuzën e ndryshuar, ndërsa në qershor ai vazhdonte të paraqiste kërkesa paraprake për pushimin e çështjes dhe përjashtimin e provave.

Edhe procesi ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci” është shndërruar në një gjyq shumëvjeçar. Ai ka mbi 3 vite që vijon.

Sigurisht, jo çdo shtyrje mund t'i faturohet gjyqtarit. Mungesa e avokatëve, kërkesat e të pandehurve, ekspertizat, numri i dëshmitarëve dhe kompleksiteti i dosjeve janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e një procesi.

Por kjo nuk e zhduk problemin. Gjykata është institucioni që administron procesin dhe, ndërsa përgjegjësia për vonesat mund të ndahet mes shumë aktorëve, faturën e kohës e paguan gjithmonë ai që pret vendimin.

Qytetari i zakonshëm pret edhe më gjatë

Nëse proceset e GJKKO-së janë nën dritën e kamerave, mijëra procese të qytetarëve zhvillohen larg vëmendjes publike.

Dhe aty shifrat janë shumë më të rënda.

Të dhënat e Këshillit të Europës për vitin 2024 tregojnë se treguesi “disposition time” për një çështje civile ose tregtare ishte 365 ditë në shkallën e parë, por arrinte në 5,496 ditë në shkallën e dytë.

Për çështjet administrative, treguesi ishte 208 ditë në shkallë të parë dhe 3,276 ditë në shkallë të dytë.

Edhe për çështjet penale diferenca është e madhe: 110 ditë në shkallën e parë dhe 1,661 ditë në shkallën e dytë. “Disposition time” është një tregues statistikor i CEPEJ që vlerëson kohën teorike të nevojshme për përfundimin e stokut të çështjeve me ritmin aktual të zgjidhjes; nuk është koha reale që zgjat çdo dosje individuale.

Me fjalë të tjera, problemi nuk është vetëm te gjyqet e politikanëve.

Është te qytetari që kërkon zgjidhjen e një konflikti pronësie. Te punonjësi që ka paditur institucionin që e ka larguar nga puna. Te biznesi që kundërshton një vendim administrativ. Te familja që ka një konflikt civil. Te i pandehuri apo viktima që pret një vendim penal.

Për ta, vonesa nuk është një statistikë. Janë vite të kaluara me avokatë, seanca, shpenzime dhe dyer gjykatash.

Edhe prokuroritë e rretheve, pak hetime të nisura vetë për korrupsionin

Problemi nuk kufizohet vetëm te gjykatat.

Në perceptimin publik, lufta ndaj korrupsionit është identifikuar gjithnjë e më shumë me SPAK-un. Statistikat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë volum të madh pune, por një aktivitet shumë më të kufizuar kur bëhet fjalë për çështjet e korrupsionit të nisura me iniciativën e tyre.

Gjatë vitit 2025, për korrupsionin dhe veprat që lidhen me detyrën, prokuroritë e zakonshme regjistruan 625 procedime me 155 të pandehur, ndërsa 182 procedime me 368 të pandehur u dërguan për gjykim.

Por vetëm 20 procedime penale të kësaj kategorie u nisën kryesisht nga prokurorët dhe vetëm 24 procedime u zhvilluan me hetime proaktive. Vetë Prokuroria e Përgjithshme pranon se numri i çështjeve të nisura kryesisht, në tërësi, “nuk është ende në nivelin e duhur”, duke evidentuar si një nga shkaqet mbingarkesën e prokurorëve.

Kjo e bën edhe më të dukshëm kontrastin: ndërsa SPAK dhe GJKKO mbajnë peshën publike të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë, qytetari përballet çdo ditë me sistemin e zakonshëm të drejtësisë.

Pagat rriten, koha mbetet problemi

Komisioni Europian konstaton gjithashtu se eficienca e gjykatave vazhdon të jetë problem. Sipas të dhënave të CEPEJ të përdorura prej tij, në vitin 2024 koha e përllogaritur për çështjet penale ishte 92 ditë në shkallë të parë dhe 772 ditë në shkallën e dytë, ndërsa për grupin e çështjeve jopenale arrinte në 251 ditë në shkallën e parë dhe 2,926 ditë në shkallën e dytë.

Pra, debati për pagat nuk zhvillohet në vakum.

Magjistratët kërkojnë trajtim financiar më të lartë dhe katër shoqatat e tyre kanë paralajmëruar se do të rikthehen në Gjykatën Kushtetuese kundër formulës së miratuar nga Kuvendi.

Por ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët luftojnë për koeficientët e pagave, qytetari vazhdon të luftojë me kalendarin.

Në GJKKO, proceset më të rëndësishme konsumojnë muaj e vite. Në gjykatat e zakonshme, çështjet civile, administrative dhe penale përballen me stoqe dhe vonesa edhe më të mëdha. Në prokuroritë e rretheve, vetë institucioni pranon se hetimet e nisura kryesisht nuk janë ende në nivelin e duhur.

Kështu, përtej pyetjes se sa duhet të paguhet një gjyqtar apo prokuror, beteja për pagat sjell pashmangshëm edhe pyetjen tjetër: kur kërkohet një drejtësi gjithnjë e më e shtrenjtë, a ka të drejtë qytetari të kërkojë që ajo të mos vijë pas vitesh pritjeje? /Pamfletidrejtesia paga 1 Komente Q Qeveria vs Qytetarët 18 Shtator 2026, 17:27 Teksa parlamentarët shqiptarë gëzojnë paga dhe përfitime ndër më të lartat në rajon, një tjetër realitet vazhdon të mbetet përballë tyre: qytetarët që jetojnë me të ardhura minimale dhe presin ende që shteti të përcaktojë me ligj një minimum jetik. Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri është 50 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, edhe në vitin 2026, Shqipëria ende nuk ka një minimum jetik të përcaktuar me ligj. Avokati i Popullit e ka cilësuar këtë si një nga borxhet sociale më të vjetra dhe ka kërkuar miratimin e tij nga Kuvendi. Përballë këtyre shifrave lind një pyetje e thjeshtë, por thelbësore: sa larg është realiteti ekonomik i qytetarit nga ai i përfaqësuesit të tij në Parlament? A mund të konsiderohet e mjaftueshme një pagë minimale prej 50 mijë lekësh për të përballuar jetën, ndërkohë që përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend kanë paga dhe përfitime shumë më të larta? E ndërkohë nuk përfaqësojnë realisht popullin sepse një pjesë futen deputetë në lista të mbyllura! Debati nuk është vetëm për pagën e deputetëve. Është për prioritetet: për standardin minimal të jetesës, për dinjitetin ekonomik të qytetarëve dhe për përgjegjësinë e atyre që miratojnë ligjet. Sepse para se të flasim për sa duhet të fitojë një parlamentar, ndoshta duhet t'i përgjigjemi një pyetjeje edhe më themelore: Sa duhet të ketë një qytetar shqiptar për të jetuar me dinjitet? Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Nuk mbyllet konflikti për pagat e magjistratëve, ligji sërish drejt Kushtetueses 18 Shtator 2026, 15:3115:31Aktualitet Gjykata e Lartë la Veliajn në qeli, avokatët ndërkombëtarë: A ka kuptim kontrolli kushtetues në Shqipëri? 18 Shtator 2026, 14:1114:11Aktualitet Deputeti socialist humb bashkëshorten: Dashuria ime që 18 vjeç sot më la! 18 Shtator 2026, 14:1314:13Aktualitet Reforma Territoriale, Bashkia e Krujës kundërshton kalimin e Rinasit nën administrimin e Tiranës 18 Shtator 2026, 13:3613:36Aktualitet Largohet Altin Jani, emërohet drejtori i ri i Autoritetit të Informacionit të Klasifikuar! 18 Shtator 2026, 13:2613:26Aktualitet Diell dhe shi, parashikimi i motit për fundjavën; temperaturat deri në 34 gradë 18 Shtator 2026, 12:4112:41Aktualitet