Një përplasje e papritur ka tërhequr vëmendjen gjatë Festivalit të Filmit në Venecia, këtë herë mes dy emrave të njohur të modës italiane, Stefano Gabbana dhe Elisabetta Franchi.
Gjithçka nisi në rrjetet sociale, pasi një video e publikuar nga ScreenWeek tregonte Elisabetta Franchi-n duke parakaluar në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia, e veshur me një fustan të gjatë të zi, me detaje të shndritshme.
Mes komenteve nuk kaloi pa u vënë re ai i Stefano Gabbana-s, bashkëthemeluesit të Dolce&Gabbana.
Stilisti iu drejtua Franchi-t me vetëm dy fjalë: “Miss poliestër”, të shoqëruara me disa emoji duke qeshur.
Komenti u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi reagime në rrjet, ndërsa ndjekësit u ndanë mes atyre që e konsideruan një thumbim tipik të Gabbana-s dhe atyre që e cilësuan si një sulm të panevojshëm ndaj stilistes.
Por Elisabetta Franchi nuk zgjodhi të heshtë.
Ajo iu përgjigj drejtpërdrejt Gabbana-s, duke e mbajtur në dukje një ton të qetë, por me një tjetër thumbim në fund.
“I dashur Stefano, në fund të fundit nuk është hera e parë që dërgon mesazhe me shije jo fort të mirë për personin tim. Ndërkohë, vlerësimi im për kompaninë tënde mbetet i njëjtë, por po të jap një këshillë: në një moment, lëre telefonin. Një përqafim, Elisabetta Franchi”, shkroi ajo.
Përplasja nuk përfi me kaq.
Franchi iu rikthye situatës edhe përmes Instagram Stories, ku la të kuptohej se nuk ishte hera e parë që Gabbana i drejtohej në mënyrë të tillë.
Sipas saj, stilisti i kishte dërguar edhe më parë mesazhe private të kësaj natyre, por deri tani ajo kishte zgjedhur të mos reagonte.
“Heshtja, në një moment, rrezikon të duket si pranim. Dhe unë, thjesht, jam lodhur”, shkroi Franchi.
Ndërkohë, përplasja mes dy stilistëve u zhvendos menjëherë nga tapeti i kuq në rrjetet sociale, ku përdoruesit nisën të debatonin mbi komentet e Gabbana-s dhe përgjigjen e Franchi-t.
Ky nuk është rasti i parë që Stefano Gabbana përfshihet në debate të tilla në rrjetet sociale.
Në vitin 2018, stilisti shkaktoi polemika pasi komentoi në mënyrë fyese një fotografi të Selena Gomez, ndërsa në të njëjtën periudhë kishte kritikuar edhe një veshje të Chiara Ferragni-t duke e cilësuar “cheap”.
Këtë herë, megjithatë, “Miss poliestër” u kthye në një përplasje publike me Elisabetta Franchi-n, e cila zgjodhi t’i përgjigjej publikisht dhe t’i kërkonte stilistit të “linte telefonin”.
Në pak orë, debati mes dy emrave të modës u bë pjesë e kronikës së Festivalit të Filmit në Venecia, duke bërë që vëmendjen ta merrnin jo vetëm veshjet në tapetin e kuq, por edhe “lufta” e fjalëve në Instagram.

