Një zjarr masiv ka përfshirë prej orëve të mëngjesit fshatrat e njësisë administrative Nikël në Bashkinë e Krujës, duke krijuar një situatë kritike për shkak të afërsisë me zonat e banuara. Kreu i Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, përmes një reagimi publik ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga ajri, duke denoncuar mungesën e helikopterëve në zonë. Sipas Kalasë, flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi që prej orës 10:00 të mëngjesit, ndërsa vonesa e ndërhyrjes nga ajri rrezikon shtrirjen e vatrës drejt territorit të kryeqytetit. “Kërkojmë ndërhyrje urgjente nga ajri në fshatrat e Niklës, Bashkia Krujë, që po digjen fuqishëm që rreth orës 10:00 e deri tani. Asnjë helikopter nuk është dukur mbi këtë zonë dhe po vazhdoi kështu, zjarri do të përparojë drejt territoreve të Bashkisë Tiranë,” deklaroi ai. Përfaqësuesi i opozitës ngriti alarmin se orët e natës pritet të jenë me mjaft vështirësi për shkak të kushteve atmosferike dhe erërave të forta që favorshëm përhapjen e flakëve pranë shtëpive. Kalaja kërkoi reagim institucional pa vonesë për të parandaluar djegien e banesave dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të vatrës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

