Një zjarr ka përfshirë një pjesë të masivit pyjor të Malit të Polisit, në Njësinë Administrative Polis, në bashkinë e Librazhdit. Sipas banorëve të zonës, situata paraqitet e agravuar, ndërsa flakët kanë përfshirë disa hektarë sipërfaqe pyjore. Temperaturat e larta, thatësira dhe prania e trungjeve të thata po favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Zona e prekur është një masiv pyjor që vitet e fundit është shfrytëzuar me leje nga kompani private. Materiali i thatë i mbetur në terren po krijon kushte të favorshme për avancimin e flakëve dhe po vështirëson ndjeshëm punën e forcave që po ndërhyjnë, raporton korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku.
Ndërkohë, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por rrethanat dhe shkaku i rënies së flakëve mbeten për t’u përcaktuar nga autoritetet, të cilat pritet të kryejnë verifikimet përkatëse.
Në terren ndodhen punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe atij pyjor, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave dhe frenimin e përhapjes së zjarrit.
Ndërhyrja po bëhet veçanërisht e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe malor, ku aksesimi i vatrave me mjete zjarrfikëse është i kufizuar.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa prioritet mbetet izolimi i flakëve dhe shmangia e përhapjes së zjarrit në pjesë të tjera të masivit pyjor. Autoritetet pritet të përcaktojnë edhe sipërfaqen e saktë të përshkuar nga zjarri dhe nëse pas tij qëndron zjarrvënia e qëllimshme. Top Channel

