Lajme Zone
Situata me zjarret në Shqipëri/ 24 vatra gjatë ditës së sotme, 8 prej tyre aktive, Gojani zona më problematike
Të tjeraTop Channel

Situata me zjarret në Shqipëri/ 24 vatra gjatë ditës së sotme, 8 prej tyre aktive, Gojani zona më problematike

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll. Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar të paktën 369 forca të strukturave vendore dhe rajonale, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Në total, angazhimi arrin në të paktën 639 forca, ndërsa FA mbështesin operacionet edhe me 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Gojan–Gjegjan–Tërbun, Pukë, vijon një angazhim i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Konkretisht, janë angazhuar 50 efektivë MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të Shërbimit Pyjor, 68 punonjës të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 53 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të FA-së. Situata paraqitet e përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit. Situata paraqitet më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku vatra është afruar pranë banesave. Deri tani raportohen 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa aktualisht vijon ndërhyrja nga ajri me 1 helikopter.

Në Shtanë, Mirditë, është angazhuar kapaciteti njerëzor dhe logjistik i bashkisë, ndërsa ndërhyrja mbështetet nga 2 helikopterë dhe 2 mjete zjarrfikëse të FA-së. Për shkak të përhapjes së zjarrit dhe rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka kryer evakuimin e banorëve të rrezikuar, ndërsa në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.

Në Dukat, Vlorë, vijon operacioni me 2 automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë MZSH, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të FA-së. Ndërhyrja nga toka mbështetet nga ajri me 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore. Pavarësisht se vatra ka marrë shtrirje të konsiderueshme në drejtim të malit, aktualisht nuk rrezikohen banesa.

Në Dajt, Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter të FA-së. Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Mal Milot, Kurbin, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së 7 efektivëve të MZSH Kurbin, 12 forcave policore, 35 forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së, me mjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga ajri me 1 helikopter të FA-së. Zona tashmë mbahet nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. Top Channel