Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme masivin pyjor në fshatin Lugaxhi, në Njësinë Administrative Labinot Mal, në Bashkinë Elbasan. Rreth orës 13:00, shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Elbasan është njoftuar nga banorët e zonës për rënien e zjarrit. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të masivit pyjor, ndërsa situata është bërë shqetësuese për shkak se zjarri po avancon në drejtim të zonës së banuar.
Pas marrjes së njoftimit, janë mobilizuar menjëherë shërbimi zjarrfikës, strukturat e emergjencave civile dhe komuniteti, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave.
Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në terren për izolimin e vatrave dhe për të frenuar përparimin e zjarrit. Terreni i vështirë dhe sipërfaqja e madhe e përfshirë nga flakët e bëjnë ndërhyrjen më të vështirë, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e zonës së banuar.
Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit ka qenë i angazhuar intensivisht gjatë ditëve të fundit për përballimin e situatave të zjarreve në territorin e bashkisë. Për shkak të situatës së krijuar në disa zona, strukturat zjarrfikëse kanë organizuar shërbimet në dy zona të Elbasanit, me qëllim reagimin sa më të shpejtë ndaj çdo vatre zjarri.
Edhe në Lugaxhi, reagimi i banorëve dhe strukturave të emergjencës ka qenë i menjëhershëm, ndërsa operacioni në terren vijon për të kufizuar përhapjen e flakëve.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi për shkak të afërsisë së zjarrit me zonën e banuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë, të shmangin afrimin pranë vatrave të zjarrit dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës.
Operacioni për shuarjen dhe izolimin e zjarrit në Lugaxhi vijon. Top Channel

