Lajme Zone
Përvëlohet Europa, vala e të nxehtit nuk ka të ndalur! Londra “pushtohet” nga temperatura të pazakonta, Spanja pritet të regjistrojë mbi 40°C
BotëTop Channel

Përvëlohet Europa, vala e të nxehtit nuk ka të ndalur! Londra “pushtohet” nga temperatura të pazakonta, Spanja pritet të regjistrojë mbi 40°C

Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë pjesë të mëdha të Evropës, me më shumë se 135 milionë njerëz që pritet të përballen me temperatura mbi 35°C.

Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë pjesë të mëdha të Evropës, me më shumë se 135 milionë njerëz që pritet të përballen me temperatura mbi 35°C. Spanja mund të arrijë deri në 40°C, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar temperaturat kanë kaluar 37°C për herë të tretë vetëm këtë vit. Zyra Meteorologjike britanike konfirmoi se disa stacione në vend regjistruan të enjten temperatura prej 37°C ose më të larta, përfshirë Kew Gardens në Londrën perëndimore.

Sipas saj, para vitit 2026, temperaturat prej të paktën 37°C ishin regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar vetëm në gjashtë raste. Vetëm gjatë këtij viti, ky nivel është arritur tre herë.

Autoritetet britanike kanë zgjeruar gjithashtu paralajmërimin e rrallë për “nxehtësi ekstreme” në të gjithë Anglinë, ndërsa temperaturat e larta pritet të vazhdojnë. Sipas llogaritjeve të AFP-së, më shumë se 135 milionë njerëz në Evropë, veçanërisht në Francë, Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pritet të përjetojnë temperatura mbi 35°C.

Spanja është ndër vendet më të prekura, ku temperaturat pritet të afrohen ose të arrijnë mbi 40°C.

Vala e të nxehtit ka rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve në pyje dhe ka shtuar presionin mbi shërbimet e emergjencës në disa vende evropiane. Në Greqi, erëra të fuqishme kanë përfshirë disa zona të vendit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre.

Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, në disa zona janë regjistruar erëra me shpejtësi mbi 100 km/h, përfshirë Athinën, brigjet e Egjeut, Kretën dhe pjesë të Greqisë kontinentale.

Rajoni i Atikës është vendosur në gatishmëri të lartë për shkak të kombinimit të motit të nxehtë, të thatë dhe me erë. Si masë parandaluese, disa nga kodrat e njohura të Athinës janë mbyllur për publikun.

Në Francë, sindikatat e zjarrfikësve profesionistë u takuan me ministrin e Brendshëm, Laurent Nuñez, për të diskutuar nevojat e shërbimeve të emergjencës pas zjarreve të fundit. Sindikatat shprehën shqetësim për mungesën e stafit dhe burimeve, duke deklaruar se shërbimet e zjarrfikësve nuk mund të përballojnë pafundësisht mangësitë e sistemit.

Pas takimit, përfaqësuesit sindikalë thanë se ishin “shumë të zhgënjyer” dhe kërkuan një mobilizim më të madh, si dhe paralajmëruan një protestë në Paris në fund të shtatorit.

Ministri Nuñez, nga ana tjetër, tha se “tani ka ardhur koha për veprim” dhe u zotua të vazhdojë dialogun me sindikatat.

Pasojat e temperaturave të larta dhe thatësirës janë ndjerë edhe në sektorin energjetik. Në Rumani, kompania shtetërore e energjisë bërthamore Nuclearelectrica ka nisur mbylljen e plotë të centralit bërthamor të Cernavodës për shkak të rënies së ndjeshme dhe të vazhdueshme të nivelit të ujit në Danub.

Lumi përdoret për ftohjen e centralit. Një nga dy reaktorët ishte mbyllur më herët, ndërsa tani edhe reaktori i dytë duhet të ndalet.

Centrali i Cernavodës zakonisht prodhon rreth një të pestën e energjisë elektrike të Rumanisë. Autoritetet kishin ndërmarrë disa masa për të shmangur një mbyllje të plotë, përfshirë ndërhyrje për të devijuar rrjedhën e ujit. Megjithatë, rënia e vazhdueshme e nivelit të Danubit ka bërë të pamundur vazhdimin normal të operimit. Top Channel