Gjashtë persona kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës pas zjarrit që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares, ndërsa pesë prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka dhënë detaje për gjendjen e të dëmtuarve, duke bërë me dije se situata në momentin e mbërritjes së tyre ka qenë tejet emergjente. Sipas mjekut, tre pacientë kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin dëmtuar pasi ishin hedhur nga kati i dytë i hotelit për t’u shpëtuar flakëve. Dy prej të dëmtuarve janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër pacient vijon të marrë trajtim në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës. Në gjendje më të rëndë paraqitet një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit dhe rrezikon jetën. “Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç”, ka deklaruar shefi i Reanimacionit, Edmond Breshanaj. Zjarri në hotelin në Lungomare ka shkaktuar panik te pushuesit gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas raportimeve të deritanishme, disa prej personave të ndodhur në hotel janë detyruar të dalin nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit.
