Lajme Zone
Të tjeraBalkanWeb

Zjarri del tërësisht jashtë kontrollit në Ulëz/ Shkrumbohen banesa e pemëtore, evakuohen qindra krerë bagëti


Situata me zjarret që kanë përfshirë disa fshatra në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë së Matit po paraqitet mjaft kritike dhe ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Flakët e përmasave të mëdha kanë shkrumbuar deri tani qindra hektarë me sipërfaqe pyjore, ndërsa kanë djegur edhe banesa.

Situata me zjarret që kanë përfshirë disa fshatra në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë së Matit po paraqitet mjaft kritike dhe ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Flakët e përmasave të mëdha kanë shkrumbuar deri tani qindra hektarë me sipërfaqe pyjore, ndërsa kanë djegur edhe banesa. Të paktën dy shtëpi janë djegur plotësisht nga flakët në këtë zonë. Pronarët e tyre, Preng dhe Geg Stojani, kanë treguar se kanë humbur gjithçka që kishin brenda në banesa. Fatmirësisht, në momentin e përfshirjes nga zjarri nuk ka patur njerëz brenda, megjithatë flakët kanë shkatërruar tërësisht edhe pemëtoret e tyre. Për shkak të përhapjes së shpejtë të vatrës së zjarrit, autoritetet kanë ndërhyrë duke evakuuar rreth 300 krerë lopë, të cilat janë zhvendosur me urgjencë drejt fshatit Gallatë të Milotit. Pavarësisht kësaj mase, rreziku mbetet mjaft i lartë edhe për fshatrat Tordhën dhe Madhesh, ku disa shtëpi banimi si dhe mbi 200 koshere bletësh rrezikojnë të shkrumbohen nga çasti në çast. Në terren po vijon një operacion masiv nga toka me pjesëmarrjen e dhjetëra forcave të shërbimit zjarrfikës, shërbimit pyjor, mbrojtjes civile, Forcave të Armatosura dhe banorëve vullnetarë. Aktualisht, aksioni po mbështetet nga ajri vetëm me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes. Autoritetet vendore i kanë bërë thirrje urgjente qendrës për më shumë ndihmë nga ajri, pasi zjarri po i drejtohet luginës së Shkopetit, çka do të mund të shkaktonte një dëm mjaft të madh mjedisor dhe material. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb