Lajme Zone
“Me KAYO-n, Rama gjeti alibinë për të goditur News24”/ Analiza e Genc Burimit: Evis Sala po aq përgjegjëse sa Rama nëse nuk kallëzon çfarë po luhet me biznesin e barnave
PolitikëBalkanWeb

“Me KAYO-n, Rama gjeti alibinë për të goditur News24”/ Analiza e Genc Burimit: Evis Sala po aq përgjegjëse sa Rama nëse nuk kallëzon çfarë po luhet me biznesin e barnave

Nga Genc Burimi

Nga Genc Burimi Motivimi që i bëri dorëheqjes së saj ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, përbën një skandal publik. Në rastin më të mirë, largimi për t’u marrë me kërkime akademike është një fyerje për popullin shqiptar. Qeveria e një shteti nuk është vend pushimesh ku shkon për ta provuar një vit dhe, po s’të pëlqeu, thua po iki të bëj diçka tjetër në jetë. Me kë tallet kjo zonjë e nderuar?

Po në rastin më të keq, largimi i saj me një motivacion të rremë mund të përbëjë një ditë vepër penale të moskallëzimit në drejtësinë e vendit që e pagoi për një vit, lidhur me planet ogurza në dëm të fondeve publike, për të cilat ajo mund të ketë dijeni. Të mos i pranosh këto plane është në nderin e saj. Por të mos i denoncosh ato, nëse ekzistojnë dhe ajo ka dijeni, përbën vepër penale të moskallëzimit. Ka javë që portalet shkruanin për ultimatumin që Rama i kishte vënë ministres deri në shtator për të firmosur projektin e një kompanie shtetërore të blerjes së barnave jashtë shtetit. Deri këtu, në pamje të parë, nuk ka asgjë të keqe. Por pjesa tjetër e projektit është më preokupuese, për më tepër që Rama e ka praktikuar tashmë këtë skemë në fushën e blerjeve për mbrojtjen. Kemi të bëjmë me të njëjtin model, i cili nga pikëpamja e shtetit ligjor ka premisa të qarta korrupsioni. Ashtu siç u krijua shoqëria shtetërore KAYO sh.a. në vitin 2024 për të menaxhuar industrinë ushtarake (ish-uzinat e Poliçanit, Gramshit), qeveria – nëse Evis Sala rrëfehet – kërkon të bëjë të njëjtën gjë në shëndetësi duke centralizuar blerjen e ilaçeve në një “superkompani” të vetme publike. Edhe këtu, në pamje të parë, nuk ka asgjë të keqe. Por, fill pas krijimit të kompanisë shtetërore, krijohet një kompani tjetër, kësaj herë private, ku kompania shtetërore e taksapaguesve shqiptarë mbetet minoritare në aksione. Dhe është pikërisht kjo kompani e dytë, e vënë në duart e privatit, që blen materiale jashtë vendit pa asnjë tender dhe pa asnjë llogaridhënie – siç po ndodh sot me mbrojtjen, ashtu siç rrezikon të ndodhë nesër me barnat.

Konkretisht, në sektorin e mbrojtjes, Kayo, pra kompania shtetërore, krijoi menjëherë pas saj një kompani tjetër me biznesmenin Ron Yeffet: TIMAK Defence ose M.K.D. Veçse në këtë kompani të re, populli shqiptar i përfaqësuar nga kompania e tij shtetërore KAYO nuk ka veçse… 20% të aksioneve! Ndërsa kompania e Ron Yeffet ka 80% ! Meqenëse në një kompani vendos ortaku mazhoritar, për blerjet që kryhen jashtë shtetit për popullin shqiptar, apo edhe për prodhimin në vend, nuk vendos më “populli” përmes KAYO-s së Ramës, por TIMAK-u ku vendos privati! Dhe ky i fundit vendosi pa asnjë tender që blerjet t’i bëjë te gjiganti izraelit i mbrojtjes, kompania shumë e respektuar Elbit Systems Ltd por që vë çmimin që do kjo dhe jo atë që rezulton nga gara e ndershme. Populli shqiptar u detyrua ta pranojë këtë kompani dhe çmimet e saj, pa asnjë konkurrencë tjetër të huaj nga ndonjë vend tjetër i Europës apo i botës. Elbit Systems Ltd ka monopolin për rihapjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë dhe për prodhimin e dronëve e sistemeve të artilerisë. E njëjta skemë ekzaktësisht përflitet edhe në shëndetësi. Kompania kombëtare e barnave që do të krijohet, sipas shumë portaleve, do të themelojë një kompani private në ortakëri me konsullin e nderit të Shqipërisë në Izrael, biznesmenin Sani Sanilevich. Nëse i njëjti model biznesi gjoja shtetëror – por që në fakt nuk është i tillë – realizohet edhe te barnat, kjo do të thotë se kompania e ardhshme e përbashkët Shqipëri–Sanilevich, në pronësi mazhoritare të këtij të fundit, do t’i blejë barnat ku të dojë dhe me çmimin që të dojë, pa i dhënë llogari askujt. Ky do të jetë një monopol në emër të shqiptarëve, por çmimin, ashtu si tek rasti i mbrojtjes, do ta paguajnë shqiptarët pa asnjë konkurrencë të mundshme.

Me KAYO-n, Rama gjeti edhe alibinë për të goditur televizionin News24 dhe mediat BalkanWeb e Panorama, duke i dëbuar nga zyrat për t’ia dhënë ato kompanisë në pronësi mazhoritare të biznesmenit Ron Yeffet. A di gjë Evis Sala nëse kompania e ardhshme e blerjes së barnave do të zhvendosë ndonjë media tjetër? © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb