Lajme Zone
Zjarrfikësit gjejnë vëllezërit binjakë të moshuar të uritur mes pyjeve, u japin bukën e tyre
EkonomiJOQ Albania

Zjarrfikësit gjejnë vëllezërit binjakë të moshuar të uritur mes pyjeve, u japin bukën e tyre

Mes flakëve dhe një beteje të vështirë për shuarjen e zjarrit, një grup zjarrfikësish në zonën e Qafë-Mollës në Tiranë është përballur me një pamje që i ka prekur thellë.

Mes flakëve dhe një beteje të vështirë për shuarjen e zjarrit, një grup zjarrfikësish në zonën e Qafë-Mollës në Tiranë është përballur me një pamje që i ka prekur thellë.

Gjatë ndërhyrjes për shuarjen e një vatre zjarri në zonë, zjarrfikësit kanë hasur dy vëllezër binjakë të moshuar, të cilët jetojnë të vetëm në një zonë të thellë dhe të izoluar të njësisë administrative Dajt.

Gjendja e tyre ka qenë e mjerueshme. Sipas zjarrfikësve, dy vëllezërit u kanë treguar se kishin disa ditë pa ngrënë dhe u kanë kërkuar bukë. Edhe pse vetë ndodheshin në mes të një ndërhyrjeje të vështirë, me ushqimin që kishin me vete për veten, zjarrfikësit kanë zgjedhur t'ua japin dy të moshuarve.

Një gjest i vogël në dukje, por që për dy njerëz të harruar në atë zonë të largët mund të ketë qenë gjithçka.

Në videon e dërguar në redaksinë tonë, dy vëllezërit shfaqen të heshtur dhe me shumë vështirësi në të folur. Sipas tyre, njëri prej tyre e kishte emrin Ali Koçi. Megjithatë, nuk kanë nevojë për shumë fjalë. Gjendja e tyre dhe fytyrat e tyre tregojnë më shumë se çdo rrëfim për vështirësitë që kanë kaluar.

Zjarrfikësit tregojnë se janë binjakë dhe se jetojnë vetëm në atë zonë. Ata i përkasin Stacionit 21 dhe Stacionit të Qytetit Studenti dhe kishin shkuar në Qafë-Mollë për të luftuar një vatër tjetër zjarri.

Ata shkuan atje për të shpëtuar njerëzit nga flakët, por gjatë kësaj ndërhyrjeje gjetën dy njerëz që kishin nevojë për një tjetër lloj ndihme.

Ndoshta sot nuk mund të shuajnë të gjitha hallet e dy vëllezërve, por ajo copë bukë që zjarrfikësit ndanë me ta është një kujtesë se edhe në ditët më të vështira, njerëzillëku nuk duhet të digjet bashkë me gjithçka tjetër.

Tashmë mbetet e nevojshme që institucionet dhe njerëzit e zonës të interesohen për fatin e këtyre dy vëllezërve dhe t'u ofrojnë ndihmën që duket se prej kohësh u mungon. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)