Lajme Zone
Zjarret në vend/ Mbrojtja: 13 vatra aktive në territor, angazhohen 317 forca dhe 32 mjete zjarrfikëse
Të tjeraBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Zjarret në vend/ Mbrojtja: 13 vatra aktive në territor, angazhohen 317 forca dhe 32 mjete zjarrfikëse

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e situatës së zjarreve në vend deri në orën 17:00 të kësaj të shtune. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e situatës së zjarreve në vend deri në orën 17:00 të kësaj të shtune. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë ditës janë regjistruar 23 vatra zjarri, nga të cilat 13 vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 317 forca operacionale dhe 32 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të strukturave në terren janë vendosur edhe 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore. Në Malin e Dajtit në Tiranë vijon operacioni në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, ku janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim. Një nga vatrat ku vijon angazhimi më i madh është ajo në Gurë-Lurë të Dibrës. Në terren janë hapur korridore me fadroma për të ndaluar avancimin e flakëve drejt banesave. Në operacion marrin pjesë 150 forca bashkiake, 20 punonjës policie, 11 efektivë të ADZM-së, 15 të MZSH-së dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”. Sipërfaqja e djegur përllogaritet në rreth 200 hektarë pyll me pisha, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat. Në Qafë Helmes, në zonën Dibër–Bulqizë, janë angazhuar 11 efektivë të MZSH-së, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri është shuar në krahun e fshatit Bulqizë, ndërsa vijon të jetë aktiv në drejtim të Selishtës, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara. Në Abaze të Krujës vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe pa rrezik për banesat, ndërsa vatra në Zidoll është nën monitorim. Në Lufaj të Mirditës vijon puna për shuarjen e zjarrit dhe hapjen e korridoreve ndarëse për të parandaluar përhapjen drejt zonave të banuara.

Në Fushë-Lajë të Pukës zjarri mbetet aktiv në terren të thyer, çka vështirëson ndërhyrjen e forcave, por nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun e Gjirokastrës vijojnë aktive vatrat në Sotirë, Dropull, Bregu i Lejlekut, Libohovë dhe Krahës të Memaliajt. Strukturat e MZSH-së janë në terren dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vlorë, vatrat aktive janë në Gjormë, Aliban dhe Mesaplik. Në Gjormë zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa në Aliban dhe Mesaplik vijon puna për shuarjen e flakëve. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Dardhë të Librazhdit vijon ndërhyrja e strukturave të MZSH-së, shërbimit pyjor dhe forcave bashkiake, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata po menaxhohet përmes një angazhimi të koordinuar nga toka dhe ajri. Në pjesën më të madhe të vatrave aktive nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin e vendit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb