Lajme Zone
Zjarret masive përfshijnë Indonezinë prej javësh, miliona njerëz nën kërcënimin e mjegullës toksike
BotëTop Channel

Zjarret masive përfshijnë Indonezinë prej javësh, miliona njerëz nën kërcënimin e mjegullës toksike

Zjarret masive që kanë përfshirë Indonezinë prej javësh kanë shkaktuar një krizë të rëndë të ndotjes së ajrit, duke lënë zona të tëra të mbuluara nga një mjegull e dendur toksike.

Zjarret masive që kanë përfshirë Indonezinë prej javësh kanë shkaktuar një krizë të rëndë të ndotjes së ajrit, duke lënë zona të tëra të mbuluara nga një mjegull e dendur toksike. Situata është veçanërisht e rëndë në Sumatra dhe Kalimantan, pjesa indoneziane e ishullit Borneo, ku miliona banorë janë ekspozuar ndaj ajrit të ndotur. Sipas raportimeve nga terreni, mijëra persona kanë kërkuar trajtim mjekësor për probleme dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, ndërsa autoritetet po përballen me vështirësi në kontrollin e vatrave të zjarrit. Pamjet nga Kalimantan tregojnë flakë të mëdha që përfshijnë zonat pyjore, ndërsa helikopterët janë angazhuar për hedhjen e ujit mbi vatrat aktive. Mjegulla e krijuar nga zjarret ka mbuluar gjithashtu qytete dhe zona të banuara, duke reduktuar ndjeshëm dukshmërinë dhe duke ndikuar në jetën e përditshme të banorëve. Problemi nuk është kufizuar vetëm brenda Indonezisë. Mjegulla dhe ndotja e ajrit janë përhapur edhe në vende të tjera të Azisë Juglindore, përfshirë Malajzinë dhe Filipinet.

Autoritetet dhe ekipet e emergjencës po vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve, ndërsa miliona njerëz mbeten të ekspozuar ndaj pasojave të ndotjes së ajrit.

Situata mbetet veçanërisht shqetësuese për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme të frymëmarrjes, ndërsa zjarret vazhdojnë prej javësh. Top Channel