Lajme Zone
Zjarr pranë liqenit të Levanit, flakët i afrohen rrezikshëm disa lokaleve (VIDEO)
EkonomiEuronews Albania

Zjarr pranë liqenit të Levanit, flakët i afrohen rrezikshëm disa lokaleve (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat pranë Radostinit, në Fier, mesditën e kësaj të premte, ndërsa flakët janë drejtuar me shpejtësi drejt zonës së liqenit të Levanit, duke krijuar një situatë serioze për disa biznese dhe banesa në këtë zonë.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat pranë Radostinit, në Fier, mesditën e kësaj të premte, ndërsa flakët janë drejtuar me shpejtësi drejt zonës së liqenit të Levanit, duke krijuar një situatë serioze për disa biznese dhe banesa në këtë zonë. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të mbjellë me ullishte dhe shkurre në kodrat e Radostinës, në vendin e quajtur “Fiqtë”, ndërsa situata paraqitet e vështirë për shkak të erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e flakëve. Flakët janë afruar në mënyrë të rrezikshme pranë disa lokaleve, ndërsa zjarri ka prekur kurorën mbi objektet dhe ndodhet shumë pranë tyre, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e flakëve drejt ambienteve të shërbimit. Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë te objektet. Në vendngjarje janë angazhuar 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektivë, 20 forca bashkiake dhe dy autobote, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer, i cili vështirëson lëvizjen e mjeteve dhe afrimin pranë vatrave të zjarrit. Pavarësisht vështirësive, zjarrfikësit vijojnë ndërhyrjen për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit në sipërfaqet përreth. Sipas pronarëve, ndërhyrja nga ajri është tashmë e domosdoshme, pasi terreni e vështirëson ndërhyrjen tokësore dhe zjarri po avancon me shpejtësi. Nga burime të pakonfirmuara thuhet se drejt zonës është nisur një helikopter nga Tirana, i cili do të hedhë ujë nga ajri për të shuar flakët.