Një zjarr ka përfshirë një sipërfaqe me pyje dhe kullota në fshatin Plovisht të Maliqit. Dy mjete zjarrfikëse dhe forcat e shërbimit janë angazhuar për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Pas marrjes së njoftimit, ekipet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur ndërhyrjen për të frenuar përhapjen e zjarrit. Sipas të dhënave paraprake, situata është vënë nën kontroll, ndërsa vijojnë punimet për shuarjen e plotë të vatrës dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizimin e flakëve. Deri më tani nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit. Grupi i angazhuar në terren pritet të kryejë verifikimet për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të incidentit.
