Një zjarr i madh shpërtheu të premten në tragetin Ro-Ro BLUE CARRIER 2, ndërsa lundronte në veri të Mykonosit dhe në lindje të Androsit, në Greqi. Në bord ndodheshin 29 persona, 28 anëtarë ekuipazhi dhe një shofer kamioni, të cilët u evakuuan në mënyrë të organizuar dhe u transportuan në Tinos nga anijet e Rojës Bregdetare. Sipas kompanisë, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk është raportuar asnjë i lënduar.
Zjarri shpërtheu rreth orës 08:57, ndërsa anija po ndiqte itinerarin e planifikuar nga Pireu drejt Vathit të Samosit. Sipas të dhënave paraprake, flakët nisën nga një kamion në garazhin numër 4 dhe u përhapën me shpejtësi, duke bërë që ekuipazhi të kërkonte ndihmë nga jashtë.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen përpjekjet e ekuipazhit për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa në radio dëgjohen komandat për evakuimin. Në një moment dëgjohet edhe urdhri: “Shpejt, përgatitni anijet”.
Nga garazhet e tragetit janë dëgjuar edhe shpërthime, ndërsa në zonë u dërguan anije zjarrfikëse dhe mjete të tjera nga Syrosi, Mykonosi, Lavrio dhe Pireu, si dhe anije që ndodheshin pranë vendngjarjes.
BLUE CARRIER 2 ishte nisur nga Pireu dhe kishte mbërritur pranë Syrosit rreth orës 06:30 të mëngjesit. Më pas, anija po vijonte drejt Vathit të Samosit. Itinerari i planifikuar ishte Pireu-Syros-Vathi-Kos-Rodos-Kos-Pireu.
Sipas kompanisë pronare Attica Group, menjëherë pas shpërthimit të zjarrit u aktivizuan procedurat e sigurisë dhe u krye evakuimi i organizuar i të gjithë personave në bord.
Anija transportonte 166 kamionë dhe 29 automjete, ndërsa shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende nën hetim. Kushtet e motit në zonë raportohet se janë relativisht të favorshme, me erëra deri në 4 Beaufort.
Kompania bëri të ditur gjithashtu se ka angazhuar kompani të specializuara për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e situatës së anijes, në bashkëpunim me autoritetet kompetente.
BLUE CARRIER 2 është një anije mallrash Ro-Ro me flamur grek, e ndërtuar në vitin 1997, me gjatësi rreth 162.5 metra dhe tonazh bruto prej 23,986. Top Channel

