Tirana do të presë këtë të diel aktivitetin sportiv “Tiranathlon 2026”, një garë që bashkon tre disiplina sportive: notin, çiklizmin dhe vrapin. Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për kufizimin dhe devijimin e qarkullimit të automjeteve gjatë zhvillimit të garës. Kufizimet e qarkullimit do të jenë në fuqi më 27 shtator 2026, nga ora 08:00 deri në 13:00, në disa segmente rrugore. Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi Rruga “Daxhit”, nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”, duke përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”. Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri”, në segmentin nga ura e Shkozës deri te kryqëzimi me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”. Rruga interurbane kryesore TEG–Ura e Shkozës. Segmenti i Unazës së Madhe, nga nyja e rrethrrotullimit të Freskut drejt TEG-ut. Devijimi i automjeteve do të bëhet në drejtim të rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën “Xhanfize Keko”. Devijimet e linjave urbane Gjatë zhvillimit të aktivitetit do të ketë ndryshime edhe në itineraret e disa linjave të transportit publik: Linja 10/A “Materniteti i Ri – Qendër – Ish-Fusha e Aviacionit” do të devijohet përkohësisht te Ura e Brrylit. Linja 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish-Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht. Autoritetet bëjnë me dije se qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e prekura nga masat. Masat do të zbatohen nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore.
