Mbetet e pazbardhur prej më shumë se tre vitesh zhdukja e çiftit britanik Anthony “Tony” Dinis, 73 vjeç, dhe bashkëshortes së tij Gillian, 78 vjeç, të cilët u zhdukën në gusht të vitit 2023 nga banesa e tyre në zonën Middlerus, KwaZulu-Natal.
Vajza e çiftit, Kate Anderson, beson se prindërit e saj janë rrëmbyer dhe vrarë në një krim të lidhur me praktikat rituale. Ajo pretendon se trupat e tyre mund të jenë gjymtuar për t’u përdorur pjesë të tyre në rituale.
“Ata u vranë në një ceremoni magjie të zezë, vrasësit janë atje jashtë”, thotë vajza e tyre.
Megjithatë, këto mbeten pretendime të familjes dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet. Trupat e çiftit nuk janë gjetur dhe rasti vazhdon të jetë zyrtarisht i pazgjidhur.
Sipas vajzës së çiftit, shënimi i fundit në ditarin e Tony Dinis mban datën 27 gusht 2023, ndërsa çifti u raportua i zhdukur të nesërmen.
Në banesë nuk u gjetën shenja të dukshme përleshjeje. Megjithatë, bastuni i Gillian kishte mbetur në shtëpi, duke shtuar dyshimet e familjes se ajo mund të ishte larguar kundër dëshirës së saj.
Rreth një javë pas zhdukjes, familja mori një kërkesë për 2 milionë randë si shpërblim. Shuma më pas u ul në 50 mijë randë. Kur familjarët kërkuan një fotografi që të provonte se çifti ishte gjallë, nuk morën përgjigje.
Hetimi policor u përqendrua te një kopshtar, i cili sipas familjes ishte ndër personat e fundit që kishte parë çiftin.
Policia e gjeti atë në një kishë lokale dhe dyshohet se ai përdorte kartën SIM të Gillian në telefonin e tij. Ai u arrestua së bashku me një person tjetër.
Gjatë hetimit, kopshtari dyshohet se deklaroi se kishte marrë pjesë në rrëmbimin e çiftit dhe se Tony dhe Gillian ishin vrarë. Sipas rrëfimit të pretenduar, pjesë të trupave të tyre do të përdoreshin për qëllime rituale.
Megjithatë, i dyshuari deklaroi se ishte rrahur nga policia për të dhënë rrëfimin. Gjykata e konsideroi deklaratën të papranueshme si provë dhe, në qershor 2024, akuzat ndaj dy të dyshuarve u rrëzuan për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.
Kate Anderson shprehet e shqetësuar se personat përgjegjës mund të jenë ende të lirë dhe mund të kryejnë krime të tjera.
Ajo kërkon që autoritetet ta rihapin çështjen dhe ta hetojnë më thellë, duke argumentuar se zhdukja e prindërve të saj nuk është trajtuar me seriozitetin e nevojshëm.
Familja gjithashtu ka ngritur dyshime për një lidhje me praktikat e njohura si “muti”, një term që përdoret në Afrikën e Jugut për ilaçe dhe praktika tradicionale, kryesisht me bazë bimore ose shtazore.

