Ukraina ka nisur të përdorë në fushëbetejë një pajisje të re kundër dronëve rusë me fibra optike, që funksionon duke u prerë kabllot, përmes të cilave operatorët kontrollojnë dronët. Teknologjia vjen në kohën kur ushtritë në mbarë botën po kërkojnë mënyra për t’u mbrojtur nga këta dronë. Pajisja ukrainase, e prezantuar në shtator, është krijuar për t’i këputur fizikisht kabllot me fibra optike, që përdoren për kontrollimin e shumë dronëve.
Ndryshe nga dronët që kontrollohen përmes radio-sinjaleve, dronët me fibra optike nuk mund të ndalen duke ua bllokuar sinjalin elektronik. Ata janë përdorur edhe në konfliktin në Mianmar, si dhe në sulme vdekjeprurëse kundër forcave izraelite. Përdorimi i tyre ka nxitur edhe Izraelin që t’i intensifikojë përpjekjet për të gjetur mënyra efektive për t’u mbrojtur prej tyre.
Drejtori i kompanisë ukrainase që ka zhvilluar pajisjen i tha Radios Evropa e Lirë se “dhjetëra” sisteme të tilla u janë dërguar, ditëve të fundit, njësive ukrainase në vijën e frontit.
Pajisja ngjan me një gardh për bagëti dhe është rreth 80 centimetra i lartë. Kur sensori i tij akustik dikton një dron në afërsi, sistemi aktivizohet: motorët elektrikë vënë në lëvizje tela të pajisur me grepa të mprehtë, të ngjashëm me tela me gjemba, në një zonë të posaçme për kapjen dhe prerjen e kabllove.
Kur kablloja me fibra optike kapet dhe pritet, lidhja fizike mes dronit dhe operatorit që e kontrollon ndërpritet. Kompania e prodhimit pretendon se sistemi arrin t’i këpusë kabllot në 95 për qind të rasteve. Top Channel

