Brukseli nuk ka udhërrëfyes për gjashtë vendet kandidate jashtë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit, por e drejta e pjesëmarrjes pa të drejtë vetoje dhe përfshirja graduale në politikat e BE-së mund t’i ndihmojnë vendet që kanë vullnet për reforma. (IntelliNews) / Brukseli po përgatit një model të ri zgjerimi, por jo të gjitha vendet kandidate do të ecin me të njëjtin ritëm. Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina pritet të marrin udhërrëfyes të posaçëm, ndërsa Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia dhe Turqia mbeten në një “korsi të ngadaltë”, ku integrimi gradual mund të zëvendësojë përparimin klasik drejt anëtarësimit... Komisioni Evropian po përgatit një model të ri për një Bashkim Evropian më të gjerë. Dokumenti “Përgatitja për një Union më të gjerë”, publikuar më 6 tetor, parashikon udhërrëfyes orientues për Shqipërinë, Moldavinë, Malin e Zi dhe Ukrainën në paketën e zgjerimit për vitin 2026, nëse këto vende ruajnë ritmin e reformave.
Për kandidatët e tjerë, Brukseli propozon një version më të strukturuar të “integrimit gradual”: përfshirje më të hershme në politika të caktuara të BE-së, por me akses të bazuar në merita, të kushtëzuar dhe të kthyeshëm. Përparimi do të varet nga gatishmëria për të zbatuar politikat përkatëse dhe nga përputhja strategjike me BE-në.
Kjo qasje rrezikon të formalizojë një proces zgjerimi me dy shpejtësi. Katër vendet pararojë kanë avancuar më shpejt në reforma, ndërsa gjashtë të tjerat pengohen nga probleme të ndryshme: mosmarrëveshja për statusin e Kosovës, sistemi politik jofunksional në Bosnjë, vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe shqetësimet për regresin demokratik në Serbi, Gjeorgji e Turqi.
“Fokusimi te vendet që përballen me më pak pengesa për anëtarësimin mund t’u përshtatet nevojave gjeopolitike të momentit, por rrezikon të humbasë dimensionin rajonal të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Milica Deleviç e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Komisioni propozon edhe zëvendësimin e unanimitetit me shumicën e cilësuar për hapjen e grupeve të negociatave dhe disa hapa të ndërmjetëm të procesit. Kjo do ta bënte më të vështirë që një shtet i vetëm të bllokonte një kandidat.
Një tjetër propozim parashikon që një anëtar i ri të angazhohet, për një periudhë të kufizuar, të mos bllokojë zgjerimet e ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe. “Vlerësimi ynë tregon se BE-ja mund të përballojë një anëtarësi më të gjerë. Por ka fusha ku shohim sfida që duhet t’i adresojmë”, tha komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, duke veçuar “sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin e sinqertë”.
Serbia: Zgjerimi përplaset me politikën dhe Rusinë
Serbia është kandidate që nga viti 2012 dhe i hapi negociatat në 2014. Nga 35 kapitujt negociues ka hapur 22 dhe ka mbyllur përkohësisht vetëm dy. Në korrik, përpjekja për të hapur grupkapitullin 3, që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, ngeci për shkak të kundërshtimeve të Holandës lidhur me situatën demokratike, pavarësinë e gjyqësorit dhe marrëdhëniet me Moskën.
“Nuk duam ta shohim Serbinë të mbetet pas”, deklaroi Kos në atë kohë. Brukseli kishte ngrirë më herët pagesat për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes, pasi ligjet e miratuara për drejtësinë u kritikuan nga Komisioni i Venecias për dobësimin e pavarësisë së prokurorisë. Beogradi i ndryshoi ato më 25 qershor.
Në shtator, marrëdhëniet u tensionuan sërish pasi Serbia organizoi një funeral me nderime shtetërore për Ratko Mlladiçin. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç deklaroi se Serbia nuk mund të përparojë drejt BE-së ndërsa zyrtarët e saj nderojnë një kriminel lufte të dënuar.
Në planin e brendshëm, Aleksandar Vuçiç dha dorëheqjen si president më 27 shtator për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit. Përballë tij është një listë e mbështetur nga studentët, e dalë nga protestat e gjata kundër qeverisë.
Një sondazh i Faktor Plus, më 21 shtator, e nxirrte listën e Vuçiç në 48.6 për qind, kundrejt 37.1 për qind për studentët. Edhe marrëdhëniet energjetike me Rusinë e komplikojnë rrugën evropiane. Kompania NIS, në pronësi shumicë ruse, është nën sanksione amerikane dhe operon me licenca të përkohshme, ndërsa Hungaria po negocion blerjen e aksioneve ruse. Serbia ka zgjatur gjithashtu marrëveshjen e furnizimit me gaz nga Moska deri në fund të vitit.
Më 7 tetor, Kos deklaroi se Serbia duhet “të japë më shumë” dhe se Komisioni do të vlerësojë seriozitetin e qeverisë së ardhshme, veçanërisht për përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Maqedonia e Veriut: Pengesa bullgare
Maqedonia e Veriut është kandidate që nga viti 2005 dhe e ka përfunduar procesin e shqyrtimit të legjislacionit, por nuk mund të hapë grupkapitullin themelor pa ndryshuar Kushtetutën për të përfshirë bullgarët si një prej popujve përbërës.
Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon garanci se pas këtij ndryshimi nuk do të vendosen kushte të tjera. “Ne e kemi ndryshuar flamurin, Kushtetutën, emrin kushtetues disa herë në të kaluarën dhe mesazhi ka qenë gjithmonë: Bëjeni këtë dhe kjo është e fundit”, tha ai.
Brukseli nuk ka pranuar garanci të tilla. “Zgjerimi i BE-së, nuk ndërtohet mbi garanci që jepen paraprakisht”, deklaroi Kos. Më 2 tetor, Ursula von der Leyen tha se “Maqedonia e Veriut i përket BE-së”, por shtoi se vendi duhet të ndërmarrë “një hap kyç” për të avancuar.
Mickoski ka mirëpritur integrimin gradual, por kërkon që ai të lidhet me rrugën drejt anëtarësimit të plotë. Sipas tij, Shkupi tashmë përmbush dy nga tri kushtet kryesore: reformat specifike dhe përafrimin me politikën e jashtme e të sigurisë së BE-së.
Bosnja: Procesi mbetet i bllokuar
Bosnja dhe Hercegovina mori statusin kandidat në vitin 2022, ndërsa BE-ja vendosi në mars 2024 që të hapte negociatat. Por kuadri negociues ende nuk është miratuar, pasi Sarajeva nuk ka përmbushur disa nga kërkesat e Brukselit për reformën në drejtësi.
Bosnja është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë fonde nga Instrumenti i Reformave dhe Rritjes. I dërguari i BE-së, Luigi Soreca, paralajmëroi në gusht se ishte “konkret” rreziku për humbjen e 373 milionë eurove të tjera deri në fund të vitit.
Më 2 tetor ai konfirmoi se Bosnja nuk do të merrte udhërrëfyes, duke thënë se vendi “mbetet më larg anëtarësimit në BE nga sa do të dëshironim ne, apo shumica e qytetarëve”. Edhe zgjedhjet e 4 tetorit nuk sollën ndonjë ndryshim të madh. Partitë nacionaliste ruajtën pozitat e tyre, ndërsa pak ditë para votimit Milorad Dodik u takua me Vladimir Putinin në Moskë.
Kosova: Integrimi gradual si e vetmja rrugë
Kosova aplikoi për anëtarësim në vitin 2022, por vazhdon të jetë vetëm kandidate potenciale. Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia nuk e njohin pavarësinë e saj, duke e bërë të pamundur marrjen e statusit kandidat për sa kohë kërkohet unanimiteti.
Marrëdhëniet me Brukselin janë përmirësuar gjatë këtij viti, ndërsa Komisioni hoqi masat financiare të vendosura pas tensioneve në veri. Megjithatë, kriza politike i kushtoi Kosovës 60 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes.
Gjatë vizitës në Prishtinë më 1 tetor, Ursula von der Leyen tha se Kosova mund të përfitonte deri në 882 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe ofroi bisedime për roaming-un dhe përfshirjen në Zonën Unike të Pagesave në Euro. “Stabiliteti institucional është themeli për gjithçka tjetër”, theksoi ajo.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe se “e meriton statusin e vendit kandidat”. Kurti e ka mbështetur integrimin gradual, por me një kusht: “Duhet të jetë një rrugë drejt anëtarësimit të plotë në BE, jo një proces paralel apo një zëvendësim i tij”.
Gjeorgjia dhe Turqia, janë jashtë ritmit
Gjeorgjia mori statusin kandidat në vitin 2023, por pas regresit demokratik dhe pezullimit të negociatave nga qeveria deri në vitin 2028, Komisioni e përshkroi në raportin e vitit 2025 si kandidate “vetëm në emër”.
Brukseli ka pezulluar disa përfitime, e ka kufizuar ndihmën që shkon drejtpërdrejt te autoritetet dhe ka rritur mbështetjen për shoqërinë civile dhe mediat e pavarura. Me përafrimin me politikat e BE-së të kthyer në kusht për integrimin gradual, Gjeorgjia duket se ka pak hapësirë për të përfituar nga oferta e re.
Ndërkohë Turqia, është kandidate që nga viti 1999, por negociatat janë ngrirë prej vitit 2018. Marrëdhënia me BE-në po fokusohet gjithnjë e më shumë te tregtia, siguria dhe modernizimi i Bashkimit Doganor. Komisioni e ka përfshirë mbrojtjen, energjinë, transportin dhe sektorin dixhital në fushat ku mund të ketë integrim gradual.
Por për Turqinë vendimet vazhdojnë të merren me unanimitet, duke i dhënë Greqisë dhe Qipros një rol vendimtar.
Samiti i mesit të këtij muaji, do të përcaktojë shumë gjëra
Udhëheqësit e BE-së do ta diskutojnë paketën e re në samitin e 15-16 tetorit, ndërsa Komisioni pritet të miratojë paketën e zgjerimit për vitin 2026 më 28 tetor. Marta Kos ka deklaruar se edhe vendet e tjera mund t’i bashkohen grupit pararojë nëse tregojnë “vendosmërinë për të përmbushur angazhimet e tyre dhe për të ndërtuar besim”.
Për 6 vendet e mbetura pas, pengesat nuk ndodhen vetëm në Bruksel. Ato lidhen me politikën në Beograd dhe Tbilisi, veton e Sofjes dhe refuzimin e 5 vendeve të BE-së për të njohur Kosovën. Kështu, ndërsa Brukseli përpiqet të zgjerojë Unionin, pyetja nuk është më vetëm se kush do të anëtarësohet, por edhe sa gjatë do të qëndrojnë disa vende në “korsinë e ngadaltë” të rrugës evropiane./Pamfleti nga “Intellinews”zgjerimi në korsinë e ngadaltë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Reforma territoriale, Berisha akuza mazhorancës: Mandatet u përdorën kundër qytetarëve, deputetët peng i korrupsionit 9 Tetor 2026, 12:1912:19Politike Rama u “nxjerr luanin” socialistëve, paralajmëron spastrime: Njerëzit e gabuar nuk do të ecin me mua! 9 Tetor 2026, 11:5311:53Politike Rama vuri 'në rresht' 85 deputetë, Zhupa për 'Territorialen': Vendos njëshi, zbatojnë të tjerët 9 Tetor 2026, 11:4711:47Politike Frika e Ramës zbret në rrugë: 85 votat që paralajmërojnë fillimin e fundit 9 Tetor 2026, 09:0909:09Politike “Votë kundër”/ Marjana Koçeku publikon pamjet nga votimi i Reformës Territoriale në Kuvend 9 Tetor 2026, 09:0309:03Politike Miratimi i Reformës Territoriale, Rama thumbon kundërshtarët: Mos bëni hesape pa hanxhinë 9 Tetor 2026, 08:5808:58Politike

