Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, priti një delegacion të Këshillit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, DEİK, të kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, ambasadori Mehmet Kemal Bozay / Pas kolegjeve, medreseve, bursave dhe universiteteve, institucionet turke po zgjerojnë praninë edhe në arsimin publik, duke e përdorur gjuhën si instrument ndikimi kulturor dhe gjeopolitik... Gjuha turke është një prej gjuhëve të huaja më të studiuara në Shqipëri pas vitit 1990. Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në Universitetin e Tiranës ka prej vitesh një degë të konsoliduar të gjuhës turke.
Gjatë së njëjtës periudhë, një numër i madh studentësh shqiptarë kanë studiuar në universitetet turke. Mes tyre përfshihen të rinj që kanë ndjekur akademitë e policisë, akademitë ushtarake dhe universitetet e shumta që kanë ofruar bursa për shqiptarët.
Rrjeti i shkollave private turke në Shqipëri, të njohura prej fillimit të viteve 1990 si kolegjet turke, ka formuar gjithashtu mijëra nxënës që kanë mësuar turqishten. Ata të rinj sot punojnë në institucione, administratë, biznes, media dhe sektorë të tjerë të jetës publike.
Kësaj harte i shtohet edhe rrjeti i medreseve, shkollave fetare myslimane që mbështeten nga Ankaraja, ku nxënësit mësojnë gjuhën dhe letërsinë turke.
Nëpërmjet universiteteve, bursave, kolegjeve dhe medreseve, Turqia ka ngritur në Shqipëri një infrastrukturë të gjerë arsimore dhe kulturore. Përmasat e këtij rrjeti e kanë kthyer turqishten në një nga gjuhët me praninë më të organizuar në sistemin arsimor shqiptar.
Në vitin 2014, kur Recep Tayyip Erdoğan vizitoi Shqipërinë në cilësinë e kryeministrit, organizatorët përgatitën në Kalanë e Prezës një shfaqje me nxënës të medreseve. Fëmijët recituan poezi me përmbajtje shpirtërore dhe fetare nga letërsia turke, duke e emocionuar kreun e atëhershëm të qeverisë turke.
Megjithatë, kjo shtrirje duket se nuk i mjafton Ankarasë. Turqia po synon ta zgjerojë praninë e gjuhës së saj edhe në shkollat publike shqiptare, duke e institucionalizuar brenda programeve mësimore.
Në Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë është nënshkruar një protokoll i ri për vazhdimin e projektit të mësimit të turqishtes.
Ambasada turke e publikoi njoftimin në të njëjtën ditë kur një delegacion i nivelit të lartë nga Ankaraja vizitoi Tiranën dhe Edi Rama e priti në Kryeministri.
“Ambasadori B. Ceyhun Erciyes vizitoi Shkollën e Mesme me Orientim Gjuhësor ‘Asim Vokshi’, ku gjuha turke mësohet prej nëntë vitesh në kuadër të projektit ‘Zgjedhja ime është turqishtja’.
Me rastin e vizitës, Instituti ‘Yunus Emre’ dhe Gjimnazi me Orientim Gjuhësor ‘Asim Vokshi’ nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për projektin ‘Zgjedhja ime është turqishtja’.
Pas ceremonisë, ku morën pjesë zëvendësministrja e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Orjana Osmani, dhe drejtoresha e Arsimit në Tiranë, Ermira Milori, delegacioni vizitoi Laboratorin e Gjuhës Turke, të pajisur nga TIKA.
Gjuha është një nga urat më të forta që lidh vendet dhe popujt tanë. Përgëzojmë mësuesit dhe nxënësit për interesin dhe përkushtimin e tyre ndaj gjuhës turke dhe falënderojmë të gjitha institucionet dhe palët që kontribuuan në projektin ‘Zgjedhja ime është turqishtja’”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Turqisë.
Për takimin në Kryeministri, ambasada njoftoi:
“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, priti një delegacion të Këshillit të Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë, DEİK, të kryesuar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, ambasadori Mehmet Kemal Bozay.
Gjatë takimit u diskutua zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, si dhe rritja e investimeve”.
Turqishtja ka fituar një prani të gjerë në Shqipëri, jo vetëm për shkak të interesit individual, por edhe falë një politike të organizuar ndikimi nga Ankaraja. Institucionet turke financojnë programe, pajisin laboratorë, japin bursa dhe ndërtojnë marrëveshje me institucionet arsimore shqiptare.
Edhe shtete të tjera kanë përdorur arsimin dhe kulturën për të zgjeruar praninë e tyre gjeopolitike. Turqia, megjithatë, po e ushtron këtë ndikim në mënyrë më këmbëngulëse, duke shtuar vazhdimisht institucionet, fondet dhe programet që e mbështesin.
Greqia, Serbia dhe Kroacia mbrojnë me kujdes përmbajtjen kombëtare të sistemit të tyre arsimor. Këto vende nuk shfaqin të njëjtën gatishmëri për t’i hapur shkollat publike ndaj një gjuhe që lidhet me trashëgiminë e një perandorie që ka sunduar rajonin.
Gjuha përfaqëson më shumë se një mjet komunikimi. Ajo krijon afërsi me një vend, një popull, një kulturë dhe një mënyrë të caktuar të leximit të historisë. Pikërisht aty nis ndikimi gjeopolitik, jo vetëm te territori, por edhe te mendësia.
Njohja e sa më shumë gjuhëve i shërben çdo shoqërie. Nxënësit, studentët, studiuesit dhe intelektualët duhet ta zgjedhin vetë gjuhën që duan të mësojnë, sipas interesave dhe nevojave të tyre.
Problemi nis kur një shtet i huaj përdor burimet financiare dhe lidhjet politike për të institucionalizuar gjuhën e vet, pa një debat publik mbi qëllimin, përmasat dhe pasojat e kësaj influence.
Një nxënës shqiptar mund të mos e përdorë kurrë turqishten për studime apo punë. Megjithatë, ai mund ta përdorë për të lexuar versionin që institucionet turke ofrojnë për historinë tonë.
Deri tani, pikërisht kjo ka ndodhur./Pamfletiturqishtja në shkollat e mesme publike Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet "Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën"/ Email-et kërcënuese në institucionet shtetërore, reagon AKSHI: Rasti po monitorohet 9 Tetor 2026, 11:0211:02Aktualitet Mbingarkesa në prokurori dhe pagat e magjistratëve, Olsian Çela: Duhet zgjidhje urgjente! 9 Tetor 2026, 10:5910:59Aktualitet Artan Gaçi nën hetim për pastrim parash, gazetari: Dosja nga Italia, së shpejti komunikohen akuzat 9 Tetor 2026, 10:4610:46Aktualitet U arrestua për ryshfet, GJKKO liron nga qelia Leli Kajën 9 Tetor 2026, 10:4410:44Aktualitet Mesazhe kërcënuese për bomba në institucionet shtetërore, reagon policia: Po hetojmë burimin e mesazhit 9 Tetor 2026, 10:4110:41Aktualitet Zgjidhen sot 3 anëtarët e KLP-së, kreu i SPAK pjesë e mbledhjes pas kërcënimit me bombë 9 Tetor 2026, 10:3210:32Aktualitet

