Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në edicionin e 12-të të “Tirana Connectivity Forum”, një platformë për diskutime mbi ndërlidhjen, bashkëpunimin rajonal dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ministri Hoxha theksoi se angazhimet politike për zgjerimin e Bashkimit Evropian duhet të shoqërohen me hapa konkretë drejt anëtarësimit të vendeve kandidate, mbi bazën e një udhërrëfyesi të qartë dhe të dakordësuar me BE-në, bëri me dije zyra e shtypit e MEPJ përmes një njoftimi për mediat. “Shqipëria po bën pjesën e saj. Ne po ecim përpara kapitull pas kapitulli, kriter pas kriteri, reformë pas reforme, me objektivin për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027. Sepse reformat nuk janë kushte të imponuara nga jashtë; ato janë investime për një Shqipëri më të fortë, më demokratike dhe më të begatë. Shumë përpara se të bëhen standarde të BE-së, ato janë gurë kilometrikë në rrugën tonë të zhvillimit dhe modernizimit”, tha Hoxha. Ministri Hoxha shprehu gjithashtu mbështetjen për integrimin gradual, që u mundëson vendeve kandidate të marrin pjesë në politika dhe programe të BE-së dhe të përfitojnë nga mundësitë e tregut të saj përpara anëtarësimit të plotë. “Përmes pjesëmarrjes së shkallëzuar në politikat e BE-së, në Tregun e Përbashkët, në programet e përbashkëta dhe projektet strategjike, mund të përshpejtojmë konvergjencën, duke forcuar njëkohësisht besimin në procesin e zgjerimit. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një rrugë më e besueshme, më pragmatike dhe më e qëndrueshme drejt tij, në dobi si të vendeve kandidate, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian”, theksoi Ministri i Jashtëm.
