Rregulli i vjetër, i dashur për Angela Merkelin, ishte: CDU-ja nuk i ndërron kancelarët e saj. Megjithatë, pikërisht kjo duket se është në lojë sonte, edhe pse bëhet fjalë për dy zgjedhje rajonale, në Berlin dhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, një land pak i populluar në brigjet e Baltikut. Sa i keq do të jetë rezultati për CDU-në e Friedrich Merz? Dhe nëse rezultati do të ishte katastrofik – nëse AfD do të fitonte sërish dhe CDU do të pësonte një tjetër rënie të fortë, si në Saksoni-Anhalt – a do të nënkuptonte kjo edhe fundin e vetë kancelarit, duke hapur rrugën për një revoltë të brendshme për ta rrëzuar? Gjithçka do të varet nga shifrat, pragjet zgjedhore, aritmetika politike dhe atmosfera që do të krijohet me publikimin e exit poll-eve të para. Megjithatë, nëse dy javë më parë Merz u kap i papërgatitur, këtë herë ai ka thirrur drejtuesit e partisë në orën 17:00, një orë para mbylljes së qendrave të votimit. Synimi është që partia të dalë me një qëndrim të përbashkët përpara kamerave. LEXO EDHE:Gjermania do të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar mashtrimet e emigrantëve me ndihmat sociale Sfida me njerëzit e tij Nëse raportimet e mediave janë të sakta, Merz synon të sfidojë edhe njerëzit e tij më të afërt: a vazhdojnë ta mbështesin për reformat, nga pensionet te shëndetësia? Dhe nëse jo, le të nxjerrin hapur emrin e personit që duan ta zëvendësojë. Në thelb, bëhet fjalë për një betejë për lidershipin, e zhvilluar përmes zgjedhjeve rajonale. Një përballje kaq e hershme sa emrat e rivalëve të mundshëm nuk janë më sekret. Në fakt, sonte do të maten edhe disa prirje të tjera politike. E para lidhet me AfD-në. Prej një viti, sondazhet e kanë nxjerrë Mecklenburgun si një bastion të së djathtës ekstreme, duke plotësuar treshen e landeve lindore – pas Tyringisë dhe Saksoni-Anhaltit – ku kjo parti është forca më popullore, me mbështetje pranë 40%. Megjithatë, një fushatë e papritur e udhëhequr nga kryeministrja socialdemokrate në detyrë, Manu Schwesig, i ka rikthyer SPD-së pothuajse 20 pikë, duke e vendosur sërish në krye të landit që qeveris prej 28 vitesh. Sondazhet e fundit japin këtë rezultat: SPD 37%, AfD 36%, Linke 9%, CDU 6% dhe Të Gjelbrit 5%. Nën pragun zgjedhor mbeten BSW dhe liberalët. Ndryshe nga Saksoni-Anhalti, ku AfD kishte një figurë të fortë si Ulrich Siegmund, në këtë land partisë i ka munguar një lider që të nxiste një mobilizim masiv të elektoratit. Në anën tjetër, SPD ka arritur të mobilizojë votuesit kundër AfD-së. Kjo ka sjellë një fenomen të njohur në Gjermani: kur zgjedhjet janë shumë të balancuara, shtohet vota taktike për të penguar fitoren e kundërshtarit, në këtë rast AfD-së. Skenari katastrofik Nëse CDU do të binte nën pragun 5%, ajo do të mbetej jashtë parlamentit të një landi për herë të parë në historinë e saj. Ky do të ishte skenari që konsiderohet “katastrofik” për Merz. Në Berlin, ndërkohë, gara duket se zhvillohet mes Linke dhe CDU-së, të cilat sondazhet i rendisin përkatësisht me 21% dhe 20%. Në vend të tretë është AfD me 18%, duke dyfishuar mbështetjen krahasuar me tre vjet më parë. Rritja e AfD-së mbështetet kryesisht nga periferitë e ish-Gjermanisë Lindore, me lagje të mëdha banesash si Marzahn, që po shndërrohen në një brez të ri mbështetjeje për të djathtën ekstreme rreth asaj që njihet si “kryeqyteti i kuq”. Të Gjelbrit me 15% dhe SPD me 12% nuk duken në garë për vendin e parë. CDU kishte deri tani kryebashkiakun e Berlinit, Kai Wegner, por ai nuk kandidoi sërish pasi u përfshi në skandale. Njëri prej tyre lidhej me faktin se, gjatë ndërprerjes së madhe të energjisë elektrike në janar, në vend që të shkonte në zyrë, ai zgjodhi të luante tenis me partneren e tij. Për këtë arsye, Berlini konsiderohet një qytet-land shumë i vështirë për t’u mbrojtur nga CDU-ja e Merz. Një fitore e Linke-s, e drejtuar nga politikania gjermano-turke Elif Eralp, do të përbënte një tronditje politike dhe kulturore. Ekziston vetëm një precedent i tillë, në landin e vogël të Tyringisë. Kjo edhe për shkak se partia premton shpronësimin e mijëra banesave për të frenuar rritjen e qirave. Një rezultat i tillë do të shërbente gjithashtu si laborator politik për të majtën, duke ngritur pyetjen nëse në të ardhmen mund të krijohet një bashkëpunim në nivel kombëtar mes SPD-së, Linke-s dhe Të Gjelbërve. Shumë pikëpyetje, shumë lëkundje për sistemin politik gjerman. Dhe për kancelarin, një humbje që duhet shmangur me çdo kusht./ CorrieredellaSera U.D/Shqiptarja.com TAG: Friedrich Merz zgjedhje Berlin gjermani Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
16 Shtator, 14:18
Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.3% Të gabuar 88.9% Nuk e di 4.8% Vota total: 4915 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 16 Shtator, 14:18 Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

