Brazili do t’u drejtohet sërish kutive të votimit më 25 tetor për të zgjedhur presidentin e ardhshëm. Zgjedhjet presidenciale të së dielës, 4 tetor, u mbyllën pa një fitues përfundimtar, kandidati i së djathtës Flavio Bolsonaro doli papritur në krye me 47% të votave, kundrejt 45% të presidentit në detyrë Luiz Inácio Lula da Silva. Tani Bolsonaro duhet të përpiqet të bashkojë rreth kandidaturës së tij, ose më saktë rreth numrit 22 me të cilin identifikohet në fletën e votimit, votat e 11 kandidatëve të tjerë që u eliminuan në raundin e parë. Të gjithë ata i përkasin së djathtës ose qendrës së djathtë dhe mes tyre nuk kishte asnjë grua. Sipas kompanive të basteve, kjo konsiderohet një sipërmarrje pothuajse e sigurt, pasi ato e nxjerrin që tani Flávio Bolsonaron fitues në balotazh. Në familjen Bolsonaro ndërkohë kanë nisur festimet edhe për Carlos Bolsonaron, vëllain e Flávios, dhe Michelle Bolsonaron, njerkën e tij dhe ish-Zonjën e Parë, të cilët u zgjodhën të dy në Senat. LEXO EDHE:Ekskluzive/ I dënuar me 26 vite burg për marrëdhënie seksuale në tentativë me një të mitur, ekstradohet nga Brazili Artef Leka! U kap nga policia federale në një lagje të pasur bregdetare Edhe e djathta shënoi fitore të lehta në disa prej shteteve më të rëndësishme të vendit. Tarcísio de Freitas u konfirmua si guvernator i shtetit të São Paulos, ndërsa Cleitinho Azevedo u zgjodh guvernator i Minas Gerais, dy prej shteteve më të rëndësishme të Brazilit. “Kjo votë shënon fundin e partisë së Lulës, Brazili ka vendosur të ndryshojë”, komentoi Bolsonaro. Ndërsa Lula deklaroi: "Do të fitojmë duke kërkuar votën e atyre që abstenuan." Mbi 158 milionë qytetarë ishin thirrur në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin dhe zëvendëspresidentin e gjigantit të Amerikës së Jugut; të gjithë guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e 26 shteteve, si dhe të Distriktit Federal; një të tretën e 81 senatorëve dhe të gjithë 513 deputetët. Këto mega-zgjedhje u zhvilluan nën hijen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa policia braziliane ka hapur tashmë një hetim për ndërhyrje të mundshme. Sipas sondazheve të publikuara në prag të votimit, gara pritej të përfnte me një përballje kokë më kokë mes dy rivalëve: presidentit në detyrë Lula, 80 vjeç, i Partisë së Punëtorëve (PT), i cili kërkon një mandat të katërt, dhe Bolsonaro Jr., 45 vjeç, i Partisë Liberale, i cili kërkon një revansh në emër të babait të tij, Jair Bolsonaro. Ish-presidenti Jair Bolsonaro u mund katër vjet më parë me më pak se 2 pikë përqindjeje diferencë dhe më pas u dënua me 27 vjet burg për tentativën për grusht shteti, me të cilën u përpoq të pengonte marrjen e detyrës nga Lula. Dueli i madh i këtij viti është një përsëritje më e zbehtë e betejës së fundit dhe shumë më të zjarrtë elektorale Lula-Bolsonaro të vitit 2022. Nga njëra anë është versioni tashmë i plakur i “luanit të vjetër” të së majtës, një ish-sindikalist i sektorit të metalurgjisë, i katapultuar mes liderëve botërorë, por që nuk ka arritur të krijojë një pasardhës politik. Nga ana tjetër është versioni më i moderuar dhe shumë më pak i spikatur i babait të tij, Jair Bolsonaro, pa karizmën dhe teprimet populiste të atij që është cilësuar si “Trumpi i Tropikëve”, tipare që e kanë bërë atë kaq të pëlqyer nga e djathta globale. Ajo që nuk ndryshoi gjatë fushatës elektorale ishte klima e një lufte të hapur politike, me fyerjet dhe goditjet e zakonshme nën brez të “telenovelës” politike braziliane. “Frikacak”, “tradhtar”, “idiot”, ka shpërthyer Lula gjatë tubimeve kundër kundërshtarit të tij. Përgjigjja e Flávio Bolsonaros erdhi menjëherë: “Gënjeshtar”, “produkt i skaduar”, “i korruptuar”. Në tubimet përmbyllëse të fushatës, tonet ishin, pa ekzagjerim, apokaliptike. Lideri i PT-së u bëri thirrje zgjedhësve të zgjidhnin “mes demokracisë dhe barbarisë”. Flávio Bolsonaro iu përgjigj duke deklaruar se “bëhet fjalë për një luftë mes së mirës dhe së keqes”. Në mes të kësaj përplasjeje ndodhet një vend i zhgënjyer dhe i shqetësuar për financat publike dhe ekonominë familjare, por mbi të gjitha për kriminalitetin në rritje. Programi i Lulës, plot 84 faqe, është në thelb vazhdimësi e politikave të tij tradicionale: një rol qendror i shtetit në ekonomi dhe zgjerim i programeve sociale. Në politikën e jashtme, presidenti në detyrë ndjek një diplomaci shumëpolare, që në deklarata synon të ruajë një distancë të barabartë si nga Kina, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe pse tensionet tregtare me administratën Trump i kanë çuar marrëdhëniet me Uashingtonin në një gjendje pothuajse të ngrirë. “Brazili nuk hyn në oborrin e askujt”, deklaroi së fundmi Lula në OKB. Programi i Bolsonaro Jr., nga ana tjetër, ndjek modelin e presidentit argjentinas Javier Milei: më shumë hapësirë për sipërmarrjen private, shkurtime drastike të shpenzimeve publike, ulje të taksave dhe burokracisë, dënime më të ashpra për kriminelët dhe ndërtimin e burgjeve të reja të sigurisë së lartë. Në politikën e jashtme, Flávio Bolsonaro pozicionohet në krah të “Internacionales së re të së djathtës” të udhëhequr nga Donald Trump, e cila gjatë viteve të fundit ka fituar terren në një pjesë të madhe të Amerikës Latine, nga Argjentina deri në Kolumbi. Mbështetja e presidentit amerikan për të konsiderohet e pritshme. “Është një i ri i zoti”, ka thënë Trump për Flávio Bolsonaron./Corriere Della Sera SI.E./Shqiptarja.com TAG: Flavio Bolsonaro Jair Bolsonaro Lula da Silva Brazil Komente Komento Sondazhi i ditës:
3 Tetor, 19:15
Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 71.4% Jo 20.9% Nuk e di 7.7% Vota total: 1816 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 3 Tetor, 19:15 Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?

