Arrëza e arekës, një substancë psikoaktive, që sot përdoret gjerësisht në Azi, mund të jetë “droga” më e vjetër e përdorur nga njerëzit. Sipas një studimi të publikuar në revistën Science Advances, njerëzit në ishullin Sulawesi të Indonezisë e konsumonin atë që prej rreth 25 mijë vitesh. Zbulimi u bë nga një ekip studiuesish të Universitetit Griffith në Australi, të cilët analizuan mbetjet dentare të dy individëve që kishin jetuar në Sulawesi. Njëri prej tyre daton nga një periudhë 25 mijë deri në 16 mijë vjet më parë, ndërsa tjetri nga 7600 deri në 6300 vjet më parë.Lexo edhe:Pse veshin çiklistët fanella të verdha? Kjo e shtyn shumë më pas në kohë dëshminë më të hershme për përdorimin e substancave psikoaktive, e cila deri tani lidhej kryesisht me periudhën e Neolitit dhe fillimin e bujqësisë. E katërta më e përdorur në botë Në shoqëritë perëndimore është pothuajse e panjohur, por arrëza e arekës konsiderohet substanca psikoaktive e katërt më e përdorur në botë, pas alkoolit, kafeinës dhe nikotinës. Sot, në shumë vende aziatike, ajo konsumohet duke e mbështjellë në një gjethe beteli dhe duke e përzier me gëlqere të shuar. Substanca kryesore psikoaktive është arekolina, e cila vepron në tru duke shkaktuar efekt stimulues. Studiuesit zbuluan se, ndryshe nga sa mendohej më parë, nuk është e domosdoshme prania e gëlqeres për çlirimin e arekolinës. Edhe thithja e vetë arrës mund të çlirojë sasi të mjaftueshme të substancës për të shkaktuar efekt psikoaktiv. Përdorej për dhimbjen e dhëmbëve Ironikisht, njerëzit e lashtë duket se e përdornin arrëzën e arekës për të qetësuar dhimbjen e dhëmbëve, pasi arekolina ka edhe efekt analgjezik. Megjithatë, përdorimi i vazhdueshëm kishte pasoja të rënda. Studiuesit vunë re një konsumim të pazakontë të dhëmbëve, që lidhet me thithjen e arrave të forta dhe gërryese. Në disa raste, konsumimi ishte aq i madh sa pjesa e brendshme e dhëmbit mbetej e ekspozuar. Kjo mund të shkaktonte dhimbje të forta, vështirësi në ushqyerje dhe rritje të rrezikut për infeksione kronike dentare.

