Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Prokurorinë e Bambergut në Gjermani dhe Policinë e Shtetit, ka ekzekutuar 8 masa sigurie ndaj anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal që operonte përmes një qendre thirrjesh (call center) në Tiranë. Operacioni është zhvilluar më 9 shtator 2026, si pjesë e procedimit penal nr. 300/1, duke goditur rrjetin që mashtronte shtetas gjermanë dhe evropianë përmes platformave të rreme të investimeve. Gjykata e Posaçme ka caktuar shkallë të ndryshme të masave të sigurimit për anëtarët e identifikuar të këtij rrjeti: Arrest me burg (3 shtetas): A.Gj., G.Sh. dhe E.P., të dyshuar për “Mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim dhe kryerje të veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Arrest në shtëpi (3 shtetas): F.Gj., K.B. dhe I.G., të akuzuar për pjesëmarrje dhe bashkëpunim në skemën mashtruese. Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore (2 shtetas): O.Gj. dhe Dh.L. Hetimet e përbashkëta zbuluan se agjentët e subjektit “Bluenergycall shpk”, me seli te “Rruga e Kavajës” në Tiranë, kontaktonin shtetas të huaj duke i joshur të investonin kursimet e tyre në bursa ndërkombëtare fikse. Paratë e viktimave dërgoheshin në llogari bankare të hapura në vende si Bullgaria, Lituania, Polonia e Qiproja, dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertoheshin në kriptovaluta.
Analiza e kryer nga struktura e specializuar e kibernetikës në Bamberg konfirmoi se mashtrimet kryheshin drejtpërdrejt përmes dy adresave IP të përdorura nga qendra e thirrjeve në Tiranë. Ky hetim pason dërgimin e mëparshëm për gjykim të pronarit dhe specialistit IT të këtij subjekti, ndërsa veçimi i dosjes mundësoi identifikimin e operatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të rrjetit. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

