Lajme Zone
“Miqtë mund të ndjehen të llastuar, si në hotel”/ Balluku me vila luksoze në Palasë, zbardhen mesazhet me biznesmenin Alban Eftimi: Ka një “feeling” si jaht! Nëse s’të pëlqen e veshim me mermer blu
PolitikëBalkanWeb

“Miqtë mund të ndjehen të llastuar, si në hotel”/ Balluku me vila luksoze në Palasë, zbardhen mesazhet me biznesmenin Alban Eftimi: Ka një “feeling” si jaht! Nëse s’të pëlqen e veshim me mermer blu

Dy emaile të dërguara nga biznesmeni Alban Eftimi në adresë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë pjesë e dosjes së SPAK që provojnë zotërimin e tërthortë nga ish-ministrja të një vile luksoze në Palasë. Sipas SPAK, vila dyshohet se ishte përfituar si ryshfet në këmbim të tenderave për kompaninë e biznesmenit Arbër Abazi.

Dy emaile të dërguara nga biznesmeni Alban Eftimi në adresë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku janë pjesë e dosjes së SPAK që provojnë zotërimin e tërthortë nga ish-ministrja të një vile luksoze në Palasë. Sipas SPAK, vila dyshohet se ishte përfituar si ryshfet në këmbim të tenderave për kompaninë e biznesmenit Arbër Abazi. Në një email të datës 14 shtator 2020, Eftimi i shkruan Ballukut lidhur me ndërhyrjet që po bënin te vila në ndërtim e sipër. “Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse një ditë vendos të japësh me qira, përdoruesit të mund të ndihen të llastuar njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në të dy muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënieje në një nivel me ujin që të shijohet në maksimum “infinity pool”. Pishina në skajin drejt detit ka po ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë.

Në 2 krahët anësore të shtëpive në nivelin e hyrjes dhe suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini).

Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjet e kuzhinës me soggiornon dhe të garderobës tek “master bedroom” janë fizarmonikë. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me “teak” për një “feeling” pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfjmë dhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi tek mermerët blu”, thuhet në email. 4 ditë më vonë, Eftimi dërgon në adresën e Ballukut një dokument me emërtimin “Vilat binjake Palasë”. Dokumenti përbëhet nga 11 fletë, ku në fletën e parë gjendet shënimi “Vilat binjake Palasë”, ndërsa në fletët e tjera gjenden planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave. Nga hetimet e SPAK rezulton se vila 188/1 në Palasë deri në fazën e karabinasë është ndërtuar me investimin e Igli Tares. Më pas, investimet për punimet e tjera të vilës janë marrë përsipër dhe bërë nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, kompani e cila bashkë me disa operatorë të tjerë ekonomikë ka fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të Unazës së Madhe. Arbër Abazi është lidhje familjare e Ballukut, pasi bashkëjeton me një të afërme të saj. Paralelisht me sekuestrimin e vilës, SPAK e ka regjistruar emrin e Ballukut si person nën hetim për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, ndërsa biznesmeni Abazi po hetohet për korrupsion. Më herët, Belinda Balluku po hetohej për korrupsion e pastrim parash, pasi dyshohet se kishte përfituar si ryshfet një vilë luksoze nga kompania Eurocol, të cilës i kishte dhënë tender kur drejtonte Albcontrol, ndërsa është e pandehur për abuzime me tenderat, e konkretisht tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të gjitha lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb