Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Barriera”, në kuadër të kontrolleve për goditjen e lojërave të fatit të paligjshme në afërsi të institucioneve arsimore. Sipas policisë, gjatë operacionit u zbuluan 6 lokale në zona të ndryshme të kryeqytetit, ku organizoheshin baste sportive përmes telefonave celularë. Në pranga përfunduan 8 persona, ndërsa u sekuestruan 10 pajisje të përdorura për këtë veprimtari. Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 2, Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë. Të arrestuarit janë punonjësit e dy prej lokaleve, M. M., 20 vjeç dhe S. A., 23 vjeç, si dhe D. V., 24 vjeç, B. Ç., 42 vjeç, E. S., 43 vjeç, A. D., 26 vjeç, E. B., 24 vjeç dhe O. A., 21 vjeç, të cilët, sipas policisë, u kapën në flagrancë duke vendosur baste në ambientet e subjekteve. Gjatë kontrolleve u sekuestruan një pajisje DVR dhe 9 telefona celularë me faqe aktive për lojëra fati. Policia bëri të ditur se hetimet dhe kontrollet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
