Policia e Elbasanit ka zbardhur dinamikën e shpërthimit me lëndë plasëse që ndodhi në orët e para të 5 nëntorit 2026, në lagjen “28 Nëntori”. Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00, kur një sasi lënde plasëse shpërtheu në njërën prej gomave të para të një automjeti tip “Volkswagen”, në pronësi të një punonjëseje të Bashkisë Elbasan, me inicialet A. D.
Si pasojë e shpërthimit, automjeti u përfshi nga flakët, të cilat u përhapën edhe te një makinë tjetër tip “Benz”, e parkuar pranë tij, duke shkaktuar dëme materiale. Menjëherë pas ngjarjes, grupi hetimor nisi veprimet për dokumentimin e plotë të saj, zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Pas hetimeve dhe veprimeve të kryera, Policia bën me dije se ka arritur të zbardhë plotësisht dinamikën e ngjarjes, duke identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar. Ndërkohë, pritet që në njoftimin e plotë zyrtar të bëhen të ditura identiteti i të arrestuarit, motivet dhe rrethanat që çuan në vendosjen e lëndës plasëse.

