Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar mbi 300 tonë pluhur industrial të nxjerrë nga Uzina e Ferrokromit, në pronësi të kompanisë koncesionare Albchrome. Mbetjet, të përftuara nga sistemi i kapjes së pluhurit gjatë procesit industrial, janë marrë në cilësinë e provës materiale, pasi konsiderohen të rëndësishme për dokumentimin e fakteve që po hetohen nga organi i akuzës. Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, sekuestrimi është kryer për një sasi të konsiderueshme prej rreth 300 tonësh mbetje, të cilat do të shërbejnë për vërtetimin e rrethanave dhe fakteve objekt të hetimit penal. Megjithatë, për shkak të natyrës dhe sasisë së materialit të sekuestruar, prokurorët kanë vendosur që mbetjet të qëndrojnë në ruajtje pranë subjektit Albchrome sh.p.k., i cili tashmë ka detyrimin ligjor për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, si dhe për t’i vënë në dispozicion organit procedues sa herë që do të kërkohet. 318 tonë mbetje, shkaku i pezullimit të aktivitetit Çështja u bë publike më 28 maj, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e Albchrome, pasi gjatë kontrolleve konstatoi depozitimin e 318 tonëve mbetje të rrezikshme, të cilat, sipas autoriteteve, ruheshin pa përmbushur kushtet e nevojshme të sigurisë. Një tjetër element shqetësues i evidentuar gjatë kontrolleve ishte fakti se kompania nuk dispononte kontrata për transferimin, evadimin, asgjësimin apo përpunimin e kësaj sasie mbetjesh.
AKM: Mbetjet paraqesin rrezik të lartë
Vëmendje të veçantë çështjes i ka kushtuar edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), e cila, bazuar në raportin e saj, i ka cilësuar këto mbetje si shumë të rrezikshme.
Bëhet fjalë për pluhurin e grumbulluar nga sistemi i posaçëm i kapjes së emetimeve në procesin e prodhimit të ferrokromit, material për të cilin vlerësimi mjedisor ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rrezikshmërinë e tij.
Sekuestrimi i mbi 300 tonëve nga Prokuroria e Elbasanit përbën një tjetër zhvillim në hetimin e çështjes së mbetjeve industriale në uzinën e Ferrokromit.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën e administrimit, depozitimit dhe trajtimit të këtyre mbetjeve, përgjegjësitë përkatëse, si dhe respektimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

