Policia ka zbardhur rrethanat e konfliktit të ndodhur rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. Në kuadër të operacionit janë identifikuar 10 persona të përfshirë në konflikt. Katër prej tyre janë arrestuar, katër janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga kanë rënë Rezar Zaimi 28 vjeç, Kevin Kocibellinj 31 vjeç, Stiven Fezollari 24 vjeç dhe Rolf Fezollari 34 vjeç, për vepra të ndryshme penale që lidhen me përkrahjen e autorit, moskallëzimin e krimit dhe pengimin e zbulimit të së vërtetës. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur Frenki Fezollari 32 vjeç, i dyshuar për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe Cercis Brahimllari 32 vjeç, i dyshuar për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit. Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se nisi pasi Rezar Zaimi kishte fyer një të mitur 17-vjeçar. Pas përplasjes verbale, i mituri dhe miqtë e tij janë konfliktuar fizikisht me Rolf Fezollar, vëllain e tij Stiven Fezollari dhe persona të tjerë. Më pas, 17-vjeçari dhe shokët e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së vëllezërve. Në këtë moment, dyshohet se Frenki Fezollari vëllai tjetër i tyre, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Nga të shtënat nuk raportohet të ketë persona të dëmtuar. Në vendngjarje, policia ka sekuestruar një thikë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
